Rasti i ri/ Makthi i koronavirusit në fasoneri godet Durrësin

Ditën e sotme është shënuar një rast i ri në qytetin e Durrësit, i prekur nga COVID-19. Bëhet fjalë për një tjetër vatër në lagjen nr. 13 në zonën e plazhit. Mësohet se bëhet fjalë për një zonjë rreth moshës 40 vjeç, punonjëse në një fasoneri.

Nga të dhënat, mësohet se gruaja është rast i referuar nga mjeku i familjes, ku ishte paraqitur për të kryer një vizitë. Pas dyshimeve, rasti është kaluar te Shërbimi Epidemiologjik dhe pas marrjes së tamponit ka rezultuar pozitive.

Aktualisht ajo është vetëizoluar në shtëpi dhe paraqitet në gjendje të qëndrueshme shëndetësore, ndërsa i është marrë tamponi dhe familjarëve të saj (bashkëshortit dhe djalit), të cilët kanë rezultuar negativë. Por pavarësisht kësaj, ata janë të detyruar të gjithë të qëndrojnë në vetëkarantinim.

Janë marrë 27 tampone në fasonerinë me vendndodhje në Shkozet, e teksa pritet përgjigja për punonjëset e tjera, vijon hetimi epidemiologjik dhe gjurmimi i rastit në fjalë ndërkohë që kujtojmë se më herët ka pasur një rast tjetër në zonën e plazhit, i cili nuk ka lidhje me vatrën e re të zbuluar ditën e sotme.