Koronavirusi/ Të dhëna inkurajuese për ilaçin kundër artritit

Nga Michele Bocci, Repubblica

Nga AIFA (Agjencia Italiane e Ilaçeve), të dhënat i quajnë inkurajuese. Janë rezultatet e para nga një studim klinik, i miratuar nga kjo agjenci që nga fillimi i epidemisë. Bëhet fjalë për ilaçin tocilizumab, që zakonisht përdoret kundër sëmundjeve auto-imune si artriti reumatoid.

Studimi është kryer nga Instituti për Kancerin në Napoli dhe ilaçi është ofruar falas nga prodhuesi Roche. Përdorimi ka të bëjë me personat në gjendje të rëndë, domethënë në një fazë të avancuar të sëmundjes, të cilët trajtohen në kujdes intensiv.

Duhet thënë se ky nuk është një studim me krahë të dyfishtë, d.m.th një studim krahasues dhe rastësor, kur efektiviteti i një ilaçi krahasohet në dy grupe pacientësh, njëri që e merr atë dhe tjetri që nuk e merr, pasi zgjidhen në mënyrë rastësore.

Për këtë arsye pritet konfirmimi nga një tjetër hulumtim, i autorizuar sërish nga AIFA.

“Studimi jo-klinik u krye në kushtet e urgjencës, në kontekstin e pritshmërive të mëdha dhe mungesës së trajtimeve efektive,” thonë nga agjencia. Në këtë rast, për arsye etike, ilaçi iu dha atyre që kishin nevojë. “Rezultatet sugjerojnë një ulje të moderuar të vdekshmërisë,” është përfundimi.

Në veçanti ka më shumë efekte pozitive në vdekshmërinë 30-ditore. Rezultatet thonë se vdekshmëria pas një muaji në mesin e pacientëve që morën tocilizumab ishte 22 përqind, në krahasim me 30 përqind nga grupi tjetër që nuk mori ilaçin.

Këto janë rezultatet, thotë AIFA, e cila pret që ato të vlerësohen në dritën e studimeve të tjera me pacientë rastësorë dhe me një grup paralel kontrolli. Për tani nuk ka prova përfundimtare për efikasitetin e tocilizumab te pacientët me pneumoni të Covid-19. Siç shihet, mes të tjerash, në këtë moment po diskutohet për përqindjen e reduktuar të vdekshmërisë. Sigurisht është e rëndësishme për shkak se bëhet fjalë për jetë të shpëtuara, çka tregon se tocilizumab është një mjet i rëndësishëm për të trajtuar pacientët në gjendje të rëndë, edhe pse për momentin asgjë nuk është përfundimtare.