Rudina Hajdari shkarkohet nga kryetare grupi. Kush e zëvendëson

Grupi parlamentar demokrat ka shkarkuar nga detyra si kryetare e grupit Rudina Hajdarin. Burime për Faxweb.al thonë se në vend të saj deputetët e këtij grupi kanë emëruar Myslym Murrizin.

Po sipas këtyre burimeve, bëhet me dije se vendimi është marrë prej disa ditësh, ndërsa grupi do ta komunikojë për publikun në fund të seancës së sotme parlamentare.

Rudina Hajdari është dhe bashkëkryetare me Damian Gjiknurin në Komisionin për reformën Zgjedhore si dhe pjesë e Këshillit Politik po për këtë reformë, ku marrin pjesë dhe 2 përfaqësues të opozitës jashtëparlamentare.

Nuk dihen ende arsyet e këtij vendimi të grupit parlamentar demokrat i cili përbëhet nga 9 anëtarë, por prej ditësh deputetët e këtij grupi kanë denoncuar aferat mes 2 partive të mëdha të cilat sipas tyre po rezistojnë në dakordësi për të mos ndërhyrë në sistemin zgjedhor.

Ditën e djeshme, në fund të takimit të Këshillit Politik, deputetja Hajdari doli shumë e revoltuar duke lëshuar akuza në drejtim të PS-PD-LSI, të cilët sipas saj ‘po i shkelin syrin njëri-tjetrit’ për të mos ndërhyrë në sistemin zgjedhor për të hapur garat në parti mes kandidatëve për deputet.

Çka është ende i paqartë është fakti nëse Murrizi do zëvendësojë Hajdarin në Këshillin Politik për reformën zgjedhore dhe nëse po odiseja për përmbylljen e kësaj reforme do të zgjasë dhe më shumë nga sa mendohej.