Nesër miratohet vendimi për shembjen e Teatrit Kombëtar

Pavarësisht faktit që vendi gjendet në situatë të jashtëzakonshme, Bashkia e Tiranës ka dërguar për miratim në Këshillin Bashkiak një projektvendim përmes të cilit synohet shembja e Teatrit Kombëtar, mbështetur në një akt ekspertize të Institutit të Ndërtimit që e nxjerr ndërtesën të rrezikshme.

Nga Gjergj Erebara | BIRN

Bashkia e Tiranës duket se ka në plan të shpallë ndërtesat ekzistuese të Teatrit Kombëtar të rrezikshme dhe t’i shembë ato si të tilla, pavarësisht se nuk ka aktualisht asnjë plan financiar për të ashtuquajturin teatër të ri dhe vendi gjendet në një krizë të thellë ekonomike, bazuar në një inspektim të vitit 2018 të kryer nga Instituti i Ndërtimit, një zyrë shtetërore.

Mësohet se Bashkia ka dërguar për miratim në Këshill Bashkiak projektvendimin me titull: “Për Miratimin e aktekspertizës së Institutit të Ndërtimit nr. 75.1 datë 23.03.2018 të dhe raportit nr. 1026/1 rpoot datë 13.05.2020, për objektin “Teatri Kombëtar” dhe shembjen e goditës së “Tearit Kombëtar”, në pronësi të Bashkisë Tiranë.””

Projektvendimi pritet të miratohet në Këshill Bashkiak të Premten më 15 Maj. Këshilli Bashkiak i Tiranës përbëhet nga 61 anëtarë të Partisë Socialiste dhe aleatëve të saj.

Akti i ekspertizës së Institutit të Ndërtimit të vitit 2018 është një dokument i prodhuar në kuadër të planeve të kryeministrit Edi Rama për të dhënë me koncesion tokën e Teatrit Kombëtar për të ndërtuar pallate dhe një ndërtesë të vogël në afro një të tretën e sipërfaqes së tokës, të quajtur Teatri i ri Kombëtar.

Akti i ekspertimit [link] është firmosur nga Agron Hysenlliu dhe të tjerë dhe thotë se ndërtesa e teatrit është në gjendje shumë të rëndë, ndërsa kostoja e riparimit të saj “është disa herë më e lartë se sa kostoja minimale fiskale”.

Planet e kryeministrit Edi Rama për të dhënë me koncesion rreth 8,500 metra katrorë tokë nën pronësi publike në qendër të Tiranës dështuan pas më shumë se dy vjet protestash nga qytetarë dhe aktivistë që kërkojnë mbrojtjen e historisë së qytetit përballë babëzisë për kulla të larta.

Pavarësisht se planet dështuan, dëshira për të shembur ndërtesat historike duket se nuk është larguar.