Grabitje dhe vrasje të bujshme/ Ja 3 'të fortët' që rrahën gardianët

Në 3 maj, në dhomat e paraburgimit në Vlorë, 3 të burgosur pasi janë konfliktuar me një tjetër në ambientet ku bëhen të mundura telefonatat, kanë dhunuar edhe gardianët, të cilët kanë ndërhyrë pas ngjarjes së rëndë.

Situata ka agravuar pasi Eduart Xhezo, Emilent Dhepa dhe Lulzim Demiraj kanë rrahur dhe dhunuar të dënuarin tjetër Eduart Ahmeti dhe më pas edhe gardianët e burgut në momentin që kanë ndërhyrë për t’i ndarë.

Por emrat e Eduart Xhezo, Emilent Dhepa, Lulzim Demiraj, nuk janë emra të panjohur për opinionin publik. Që të tre janë në pritje, të akuzuar për shumë krime të rënda.

Lulzim Demiraj, 43-vjeç akuzohet se ka qëlluar me automatik, duke plagosur pronarin e pikës së këmbimit valutor Gëzim Hoxha dhe duke vrarë 54-vjeçarin Agur Vrenozi, në muajin mars të vitit 2018. Në atë kohë Demiraj së bashkë me dy grabitës të tjerë hynë në pikën e këmbimit valutor, duke lënë të plagosur rëndë pronarin dhe një 53-vjeçar, i cili shkoi për ta ndihmuar, por pas plagosjes humbi jetën në spital në Tiranë.

Edhe protagonisti tjetër i ngjarjes së dhunshme të para 10 ditëve, Eduard Xhezo është arrestuar nga policia në nëntor të 2019 për vrasjen e biznesmenit Arben Beqiraj, ngjarje kjo e ndodhur më 4 gusht të vitit 2019. Ai akuzohet për “vrasje në rrethana cilësuese” dhe “mbajtja pa leje e armëve shpërthyese dhe municionit". Arben Beqiraj u qëllua në lokalin e tij me disa plumba në trup nga 34-vjeçari Xhezo, pas një konflikti që kishte pasur me biznesmenin dhe të birin e tij, sepse kishte kaluar me kalë përpara biznesit të tyre.

Kurse Emilent Dhepa është dënuar me 12 vjet heqje lirie, pasi është konsideruar si super-grabitësi i dhjetëra dyqaneve në Tiranë. Për të realizuar grabitjet, të cilat i kryente gjithmonë i vetëm, 38-vjeçari përdorte armë dhe dhunë kur ishte nevoja.