Basha: Pandemia e thelloi varfërinë në Durrësin e goditur nga tërmeti

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, vazhdoi takimet me qytetarët, duke u ndalur në qytetin e Durrësit, i cili u godit fort nga tërmeti dhe tani nga pandemia.

MESAZHI I BASHES

Në Durrësin që vuan ende pasojat e tërmetit të nëntorit, pandemia vetëm se e ka thelluar më shumë krizën ekonomike. Në rrugë dhe dyqane, qytetarët që takova më shprehën shqetësimin për mungesën e plotë të ndihmës nga qeveria Rama.

Janë të shumtë dhe në Durrës ata që nuk kanë marrë rrogën e premtuar nga qeveria. Ndërkohë që rihapja e bizneseve me fasha orare të reduktuara veç uljes së xhiros shoqërohet dhe me faturat e larta të energjisë elektrike, tatimeve dhe taksave vendore. Përditë e më zi shohin durrsakët ndërsa sezoni turistik i këtij viti pritet të jetë i vështirë dhe me humbje të pallogaritshme për turizmin e qytetit. Familje të tëra që do të kenë më pak të ardhura për shtëpitë e tyre pasi një nga burimet kryesore do shterrojë.

Qeveria Rama e keqmenaxhoi situatën e pandemisë në kurriz të shqiptarëve, duke favorizuar 10 oligarkët, klientë të saj. Në Durrësin e goditur rëndë nga tërmeti dhe pandemia, Ramavirusi po i zhyt qytetarët në varfëri dhe biznesin drejt falimentimit.