Klubi gjerman gjen zgjidhjen si të ruhet distanca gjatë ndeshjeve

Bundesliga është kampionati i parë i madh europian që fillon këtë fundjavë dhe ka përgjegjësinë për të treguar para të gjithë botës se pavarësisht masave ekstreme, futbolli mund të kthehet deri diku në normalitetin e tij.

Stadiumet do të jenë të boshatisura nga tifozët, por sigurisht që brenda ambienteve do të kenë persona të ndryshëm që merren me mbarëvajtjen e ndeshjes, sipas një protokolli shumë të rreptë që duhet ndjekur.

Një nga planet e këtij protokolli është ai i distancës 1,5 metër që duhet respektuar me çdo kusht dhe për të caktuar këtë distancë nuk është edhe shumë e lehtë.

Por tek Eintraht Frankfurt kanë gjetur një zgjidhje ideale. Klubi gjerman ka bërë të ditur se për ndeshjen e të shtunës ndaj Borusia Moenchengladbah, të gjithë personat e pranishëm në stadium do të kenë me vete një pajisje të vogël, me përmasa 5 x 3.5 centimetra që mund të kthehet ndër më të përdoruat në Bundesligë e pse jo, edhe në kampionate të tjera.

Kjo pajisje do të shërbejë për të sinjalizuar distancën dhe do të ndizet drita e kuqe e saj kur ajo është më pak se 1,5 metra nga personi tjetër që ka një pajisje të tillë gjithashtu.

Njëkohësisht klubi do ta përdorë atë edhe si gjurmues të personave që janë në stadium për të ditur në çdo moment se në cilin vend ka qenë çdo person i përfshirë në ndeshje, në mënyrë që të bëjë identifikimin dhe izolimin e kontakteve nëse në të ardhmen ndonjë do të rezultojë pozitiv.