Rrëzohet teoria fillestare: Pangolinët nuk e kaluan koronavirusin te njerëzit

Krijesat me luspa të quajtura pangolin-ë nuk janë shkaktarët e përhapjes së koronavirusit nga lakuriqët e natës tek njerëzit. Në këtë përfundim ka dalë një studim i realizuar së fundmi.

Kërkues nga Kina kanë zbuluar se këto kafshë janë në fakt bartës natyralë për një numër koronavirusesh, por nuk duket të jenë burimi kryesor i COVID-19.

Ekspertët besojnë se Covid-19, që aktualisht ka përfshirë gjithë globin e ka origjinën tek lakuriqët e natës, por ka të ngjarë që të jetë përhapur tek njerëzit përmes një bartësi tjetër që ka luajtur rolin e ndërmjetësuesit.

Identifikimi i kësaj kafshe të ndërmjetme do të jetë thelbësore për kontrollimin e koronavirusit të ri dhe parandalimin e pasojave shtëse të tij, apo koronavirusëve të tjerë në të ardhmen.

Analiza e bërë nga studiuesit sugjeron se SARS-CoV-2 nuk “lindi” direkt nga koronavirusi i pangolin-ëve, siç ishte menduar më herët.

Gjithsesi, ata theksuan se këto krijesa mbajnë viruse korona të tjerë dhe rreziku i kalimit të këtyre viruseve tek njerëzit mbetet prezent. Konservimi dhe ekspozimi i kufizuar ndaj jetës së egër do të jetë e rëndësishme për të minimizuar këtë rrezik, rekomandoi ekipi.