Trajneri i Vllaznisë: Koha e pamjaftueshme për rifillimin e kampionatit, synojmë triumfin në Kupë

Trajneri i Vllaznisë, Mirsad Jonuz e cilësoi si të pamjaftueshme kohën nga momenti i rinisjes së stërvitjes deri në 3 qershor kur do rifillojë kampionati.

I ftuar në Fan Zone nëpërmjet një lidhjeje live me Skype nga Maqedonia e Veriut, numri një i stolit shkodran nënvizoi gjithashtu se ka mbajtur kontakte me futbollistët e Vllaznisë gjatë kësaj periudhe.

Jonuz foli edhe për merkaton, ndërsa nënvizoi se Vllaznia i ka të gjitha mundësitë për të fituar Kupën e Shqipërisë në këtë edicion.

“Është e vështirë që pas dy muajsh pezullim të rikthehesh në stërvitje. Nuk e di si janë rregullat në Shqipëri. Nëse më 18 maj rinisim stërvitjen do ishte shumë pak kohë për të rifilluar kampionatin më 3 qershor.Si fillim është e rëndësishme që të kthehen të gjithë lojtarët, pasi disa janë jashtë. Ka disa pikëpyetje për kampionatin. Vllaznia është një pozitë shumë të favorshme, tashmë është koha që të bashkëpunojmë me bashkinë në mënyrë që gjithçka të shkojë shumë mirë”.

“Lojtarët që ndodhen në Maqedoni janë stërvitur më mirë. Në Shkodër është një zonë e kuqe. Ka një liri më të madhe rregullash në Maqedoni se në Shqipëri.Unë flas me të gjithë gjatë gjithë kësaj kohe dhe të shikojmë se çfarë do ndodhë, duke bërë edhe llogaritë si do bëhet gjithçka. Nëse fillon stërvitja më 18 maj dhe kampionati më 3 qershor, do të ishte një kohë shumë e shkurtër për tu stërvitur”.

“Sa nga lojtarët aktualë do mbanit për sezonin tjetër nëse vazhdoni në krye të Vllaznisë? Për sezonin tjetër do na duheshin 3-4 lojtarë të rinj. Do të shikojmë më pas edhe pas shitjeve se çfarë do të ndodhë. Nëse avancojmë në Superiore, do shikojmë se çfarë do ndodhë. Në fillim të sezonit morëm 14 lojtarë dhe ishte e vështirë për këtë kampionat”.

“Është shumë e rëndësishme të nisim njëherë stërvitjet. Nëse do fillonim më 10 qershor do ishte më mirë, duke ditur që nuk kemi edhe tifozët. Unë besoj se këtë vit mund të fitojmë Kupën dhe vitin tjetër me ndryshimet që do bëjmë do synojmë Europën.”, u shpreh Jonuz