OFL u kërkoi pasurinë, reagon Lici: Nuk ju përgjigjemi, nuk është person nën hetim

Babai i Ibrahim Licit pas kërkesës për vetdeklarimin e pasurisë nga OFL thotë se djali i tij nuk ka pse ti përgjigjet kërkesës së Policisë së Shtetit pasi ai nuk është subjekt i këtij ligji.

Sipas babait të tij, Lici nuk është i dënuar nga asnjë gjykatë vendase apo e huaj dhe nuk është person nën hetim.

‘Unë Mustafa Lici, ju kthej përgjigje në emër të djalit tim Ibrahim Lici. Ibrahim Lici refuzon t’ju përgjigjet sepse nuk është subjekt i këtij ligji. I padënuar nga asnjë gjykatë vendase apo e huaj. Nuk ka asnjë masë sigurie nga ndonjë Gjykatë për ndonjë vepër penale, as nga gjykatë e huaj as nga ajo vendase. Nuk është person nën hetim nga prokuroria për asnjë vepër apo çështje  penale’, thotë Mustafa Lici në letrën drejtuar Policisë së Shtetit.

Mirëpo më herët përmes avokatit të tij Saimir Visha, Lici ka kërkuar Prokurorisë Shkodër të sqarojë rrethanat e marrjes nën hetim të tij por, institucioni i akuzës me anë të një shkrese që mban datën 20 janar 2020, ka sqaruar avokatin Visha se personi i mbrojtur prej tij (Ibrahim Lici), nuk është marrë nën hetim, por se është shpallur në kërkim si person që ka dijeni për një ngjarje të ndodhur në vitin 2019, për të cilën Lici nuk është gjetur dhe nuk ka bërë deklarime në prokurori.

‘Shtetasi që ju mbroni, nuk është marrë person nën hetim në lidhje me procedimin penal nr. 403 i vitit 2019…por është kërkuar të pyetet për ngjarjen për të cilën është regjistruar ky procedim penal, dhe nuk është paraqitur, nuk është gjetur në banesë kur është kërkuar dhe për këtë arsye është shpallur në kërkim policor nga Drejtoria vendore e Policisë Shkodër. Ju mund të kontaktoni me të dhe ta njoftoni të paraqitet për të dhënë deklarime në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethanat e hetimit…’, thuhet në shkresën e prokurorisë së Shkodrës drejtuar avokatit të Ibrahim Licit, Saimir Visha.

Ditën e sotme OFL njoftoi se kishte kërkuar nga vëllezërit Muhamed dhe Ibrahim Lici, djemtë e Mustafa Licit, ish-anëtar i Këshillit Bashkiak në Shkodër, si edhe dy vëllezërit Bledar dhe Gëzim Cafi të deklaronin pasurinë brenda 48 orëve.