Nga 255 testime, vetëm 8 raste të reja me koronavirus në Kosovë

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) njofton për tetë raste të reja të konfirmuara pozitiv me koronavirusi.

Sipas IKSHPK-së, personat që rezultuan pozitivë janë raste kontakti, katër nga komuna e Rahovecit, dy nga Mitrovica dhe dy nga komuna e Vushtrrisë, raporton Rel.

IKSHPK njofton se janë testuar gjithsej 255 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi I kontakteve të rasteve në terren.

Që nga shfaqja e rastit të parë me koronavirus në Kosovë janë testuar gjithsej 10,642 mostra dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 927 raste, me gjithsej 29 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

Ndërkohë është raportuar për 671 persona të shëruar.

IKSHPK, iu bën thirrje qytetarët të vazhdojnë respektimin e masave parandaluese duke përfshirë bartjen e maskave dhe respektimin e distancës fizike prej së paku dy metrash.

Në Kosovë, që nga 4 maji ka nisur faza e parë e lehtësimit të masave kundër COVID-19, sëmundjes që e shkakton koronavirusi.

Qytetarët kanë të drejtë të dalin tre orë në ditë dhe orari i qarkullimit është i rregulluar në bazë të shifrës së parafundit të numrit personal të letërnjoftimit.

Në fazën e parë, po ashtu është lejuar rihapja e disa bizneseve.

Faza e dytë pritet të nisë nga 18 maji deri më 2 qershor, ndërsa e treta më 2 qershor.

Megjithatë, Ministria në detyrë e Shëndetësisë paralajmëroi se mund të ashpërsojë masat e izolimit, nëse rritet numri i të infektuarve me koronavirus.