Ardjan Takaj skeptik për rifillimin e kampionatit: Asnjë stadium nuk i plotëson kushtet

Pas takimit me presidentët e klubeve, Federata Shqiptare e Futbollit vendosi 3 qershorin si datën për rifillimin e futbollit në vend.

Pas mbledhjes, presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj u shpreh shumë skeptik për plotësimin e të gjitha kushteve sipas protokollit.

“Ne kemi zbatuar ligjin, që nuk lejohet të stërvitesh, ndërkohë që disa skuadra janë stërvitur. Nuk mund të merrem me ekipet, kush e ka bërë këtë dhe kush jo. Janë specialistët e trajnimit, ata që vendosin.

Unë isha për datën 7 qershor, por u vendos data 3. Megjithatë, e rëndësishme është që të rifillojë futbolli. Kishte nga të gjitha diskutimet dhe propozimet. Kjo situatë do të na rëndojë financiarisht. Masat që janë marrë janë shtesë për buxhetet tona. Hotelet dhe mjetet e transportit janë me kosto dopio. Këto duhet t’i paguajë klubi. Verë do të jetë, kalendar i ngjeshur, të shikojmë nëse do të kemi edhe dëmtime. Jemi pjesë e riskut.

Nuk besoj se e kemi infrastrukturën për t’i zbatuar 100% masat e vendosura në protokoll. Vetëm “Air Albania” i plotëson kushtet, asnjë stadium tjetër nuk i plotëson.

Tamponët? Janë gjëra që nuk më takojnë mua, por mjekëve. Nëse do t’iu bazohemi kushteve të marra në kampionatet e tjera, ne nuk rifillojmë dot. Ka kontrast të madh, jemi në situata të pabarabarta”.