Niveli i testosteronit ndikon te vdekjet nga koronavirusi

Tanimë dihet se koronavirusi godet më shumë meshkujt se femrat, madje në shumë vende, numri i viktimave meshkuj është gati dy ose tre herë më i lartë.

Një studim ka zbuluar se një enzimë që gjendet më shumë te meshkujt i rrezikon ata nga sëmundja e re.

Por një tjetër studim ka zbuluar se meshkujt me nivele të ulëta të testosteronit janë më të rrezikuar nga vdekja prej Covid-19.

Sipas Daily Mail, studimi është bërë në Gjermani.

Shkencëtarët kanë zbuluar se niveli i testosteronit, i njohur ndryshe si hormoni seksual mashkullor, mund të luajë një rol te niveli i rrezikut nga sëmundja.

Hormonet dihet se ndihmojnë për të rregulluar reagimin e sistemit imunitar të trupit. Por kur një mashkull ka nivele të ulëta testosteroni, sistemi imunitar nuk e lufton siç duhet infeksionin.

Kjo sjell edhe atë që njihet si stuhia sitokine, e cila ndodh brenda sistemit imunitar dhe mund të jetë fatale.

Në rastin e kësaj stuhie, sistemi imunitar del jashtë kontrollit në përpjekje për të vrarë patogjenin.