Terrorizonte prej tre vjetësh një vajzë, prangoset studenti shqiptar

Një student shqiptar, 23 vjeç, rezident në Latina, është arrestuar të hënën në mbrëmje nga policia, për përndjekje të një vajze, edhe ajo studente.

I riu u denoncua nga vajza, banore në Lucca, të cilën e kishte njohur në universitet, në një qytet në Toscana.

Prej tre vjetësh, i arrestuari e përndiqte vajzën, duke e ndjekur në rrugë, me mesazhe të vazhdueshme në rrjetet sociale, shumë prej tyre kërcënuese, kërkesa për takim, duke i shkaktuar një gjendje të rëndë ankthi viktimës, e cila ishte detyruar të mos dilte nga shtëpia për të mos u përballur me shqiptarin.

As periudha e karantinës, gjatë së cilës studentët janë kthyer në shtëpi, nuk e pengoi djaloshin të vazhdonte përpjekjet për takim, aq sa i hipi trenit për të shkuar në Lucca, te shtëpia e saj.

Aty i ra derës duke thënë se ishte polic, por nëna e vajzës nuk e besoi dhe mori në telefon policinë. Pak minuta më pas, mbërritën policët, të cilëve iu tha me qetësi se kishte ardhur në Lucca për të takuar një të afërm.

Pas sqarimit të situatës, studenti shqiptar u arrestua dhe u dërgua në burg, i kapur në flagrancë për përndjekje.

Sot gjyqtari ka vendosur arrest shtëpie në Latina për të riun, i cili përveç përndjekjes së vajzës do të përgjigjet edhe për akuzën e shkeljes së normativës kundër përhapjes së coronavirusit.