Komiteti i Helsinkit: Të mos ndalohen tubimet, të rishikohet gjoba 5 mln lekë

Komiteti Shqiptar i Helsinkit, duke marrë shkas nga tubimet që janë zhvilluar këto ditët e fundit në vendin tone dhe është shprehur në mbështetje të masave parandaluese për mospërhapjen e Covid 19, mendon se, edhe në situatën e pandemisë që po kalojmë, tubimet (veç rasteve të parashikuara në ligj), nuk duhet të kufizohen dhe aq më tepër të ndalohet ushtrimi i kësaj të drejtë.

Kjo nuk do të thotë të mos respektohen masat përkatëse kufizuese, siç janë distancimi fizik i protestuesve, përdorimi i mjeteve mbrojtëse prej tyre, etj.

Në vlerësimin e KShH-së, ka vend të rishikohet formulimi në aktin normativ nr.3, të datës 15.03.2020 “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19”, miratuar me ligjin nr. 24/2020.

Në këtë dispozitë parashikohet se subjektet apo individët që organizojnë zhvillimin e aktiviteteve publike dhe jopublike, si aktivitete sportive, kulturore dhe konferenca, apo grumbullimet masive në vende të mbyllura apo të hapura, si koncerte, tubime dhe dëgjesa publike, dënohen me gjobë në masën 5 000 000 (pesë milionë) lekë për organizatorët dhe ndalimin e aktivitetit.

KShH vëren se bazuar edhe në praktikat e vendeve të tjera demokratike të Evropës, ku janë lejuar tubimet që respektojnë distancimin fizik dhe me masa mbrojtjese, kjo dispozitë vlen të rishikohet për të evituar interpretimet e ndryshme dhe subjektive dhe për të garantuar të drejtën themelore të tubimit dhe lirinë e organizimit ndaj çdo qytetari që respekton masat mbrojtëse.

Në përfundim, KShH sugjeron që në mbështetje të ligjit, organet e policisë, kur është e nevojshme ndërhyrja në tubime ose kufizimi i tyre, të jenë të motivuara dhe të veprojnë në mënyrë proporcionale.