24 raste të reja me COVID-19 dhe 14 të shëruar në Kosovë

Autoritetet në Kosovë konfirmuan të martën 24 raste të reja të të prekurve nga koronavirusi që është numri më i lartë i të konfirmuarve në një ditë në dy javët e fundit.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike tha se raste e reja u konfirmuan pas 257 testeve, raporton VOA.

Prej tyre 14 raste jnë nga komuna e Gjilanit, 4 raste nga komuna e Prishtinës, 3 nga komuna e Vushtrrisë dhe nga 1 rast në Kamenicë, Mitrovicë dhe Ferizaj.

Rastet e së martës e çuan në 919 numrin e përgjithshëm të të prekurve nga të cilët 29 veta kanë humbur jetën.

Rasti i fundit i vdekjes u regjistrua të martën kur humbi jetën një grua 63 vjeçare nga komuna e Rahovecit e cila po trajtohej në Klinikën Infektive në Prishtinë ndërsa vuante edhe nga sëmundje të tjera.

Po sonte autoritetet thanë se janë shëruar edhe 14 veta duke e çuar në 671 numrin e përgjithshëm të të shëruarve.

Katër ditët e fundit shënuan një rritje të rasteve të të prekurve pas një periudhe rënieje të numrit që çoi edhe në lehtësimin e masave kufizuese ndaj lëvizjes se qytetarëve.