Pasojat e Covid-19/ Idrizi: Kemi humbur 61 mijë vende pune. Kriza po vjen dhe është shumë e madhe

I ftuar në “Edicioni i Pasdites” në Syri TV, kryetari i PDIU Shpëtim Idrizi foli mbi pasojat ekonomike të Covid-19 në Shqipëri dhe mbi masat që ka marrë qeveria.

Sipas tij, vendimet e qeverisë po e çojnë vendin drejt një katastrofe ekonomike.

“Po e çon vendin në katastrofë ekonomike. Më lejoni t'ju them se çfarë kanë bërë vendet e rajonit për të kuptuar pse një mënyrë e tillë e trajtimit solli këto pasoja. Nëse marrim GDP, kemi shpenzuar 1,8%, ndërkohë Kosova ka shpenzuar 2,1% dhe Serbia 11%. Për të mos folur më pas për Gjermaninë etj.

Nëse shohim sot pasojat, po të marrësh Maqedoninë dhe Kosovën kanë humbur 6 mijë vende pune, ndërsa Shqipëria 61 mijë të punësuar të çregjistruar. Mungesa e parave të injektuara në ekonomi solli papunësinë e 61 mijë personave.

Edi Rama nga çdo gjë mund të kuptojë, por vetëm nga ekonomia jo. Ka marrë 210 milionë euro, të cilat do të ishin të mjaftueshme për të mbajtur zinxhirin ekonomik.

Serbia ka dhënë 5.1 miliardë, Shqipëria, sipas Ahmetajt, ka dhënë 163 milionë. Ahmetaj kur i flet dhe i thotë nuk i thotë për shqiptarët por vetëm për Edi Ramën. Sot kemi dhënë 41 milionë euro. Kur kujtoj 13 miliardët e munguar, kur shoh tenderat që bëhen. Kur flasim se duhen injektuar sa më shumë ekonomi dhe janë bërë 20 tendera sekretë...

Jo më kot Gjermania dhe vende të tjera kanë dhënë 30% të GDP. Duhet të japësh më shumë se çfarë ke për të mbajtur zinxhirin ekonomik. Kriza po vjen dhe është shumë e madhe”, u shpreh ndër të tjera Idrizi.