Nga tokat në bregdet, tek rrugët dhe koncesionet/ Alibeaj: Ja vendimet që Ramës iu diktuan nga oligarkët

Ish-deputeti demokrat, Enkelejd Alibeaj, ka denoncuar qasjen korruptive të qeverisë Rama në këtë kohë pandeminë, e cila sipas tij ka trdhëtuar 3 milion shqiptarë për 10 oligarkë.

‘Sa i kalbur duhet të jetë Edi Rama që të arrijë deri atje sa të thotë se e zeza nuk është e zezë, se në Shqipëri nuk paska oligarkë!

Njeriu që e nis ditën duke bërë llogari sesa do të vjedhë me oligarkun e karburanteve, sa leje ndërtimi do të japë për oligarkun e ndërtimeve, sa do të përfitojë nga shembja e Teatrit dhe ngritja e kullave, sa taksa do t’i heqë oligarkut të kudogjendur e kështu me radhë me çdo pasuri që ia ka falur një grushti oligarkësh, bën çdo gjë për të mashtruar shqiptarët që i rropi nga taksat për 7 vjet dhe tani i ka braktisur pa asnjë qindarkë ndihmë.

Disa vendime të qepura për oligarkët, që e kanë bërë Edi Ramën një ndër njerëzit më të pasur në Europë.  

• Ligjin e Korporatës së Investimeve për të shtetëzuar tokën dhe për t’ua dhënë privatëve për ndërtim ia diktoi një oligark.

• Ligjin e Investitorit Strategjik për t’u falur tokat në bregdet privatëve e bëri sipas porosisë së një oligarku.

• Dhënien me Koncesion të rrugëve ia diktoi një oligark tjetër.

• Unazën e Re me 20 milionë euro kilometrin e bëri në favor të oligarkëve.

• Koncesionet në shëndetësi ua shpërndau oligarkëve

Ramavirusi është kryetari dhe ideologu i një pakice që hiqen si sipërmarrës, por që nuk prodhojnë. Puna e tyre e përditshme është biznesi me qeverinë për të zhvatur e varfëruar shqiptarët dhe Shqipërinë.

Ramavirusi është ai që parlamentin e ktheu në noter të ligjeve me emër oligarku dhe zyrat e oligarkëve i shndërroi në Ministri Financash, Ekonomie, Energjitike dhe Infrastrukture.

Gjithçka në qeverisjen e Edi Ramës është për oligarkët. Asgjë për qytetarët. Pandemia e provoi këtë sërish, prandaj na duhet ta largojmë kryeministrin e oligarkëve dhe të varfërisë së shqiptarëve. E kemi për detyrë historike të rikthejmë shpresën dhe të vlerësojmë konkurencën e lirë, tregun e lirë, ndershmërinë në vend të oligarkisë.’