Del ‘pronari’ i 3.4 mln eurove/ A mbyllet me kaq dosja që tronditi politikën?

 

Më shumë se një vit më parë, një gjerman me emër italian, po i jepte fund hetimeve për një prej dosjeve më të bujshme të politikës shqiptare.

Sipas BIRN dhe VOA, gjermani Carlo Rizzatto ka pretenduar pronësinë mbi 3.4 milionë eurot e gjetura në një makinë Toyota Auris, që më shumë njihet si Toyota Yaris për shkak se kështu u raportua fillimisht.

Historia e shpjeguar me pak fjalë është kështu: 59-vjeçari nga Gjermania u paraqit përpara hetuesve shqiptarë dhe tha se paratë do i përdorte për të investuar në fushën e turizmit në Shqipëri. Sipas tij, këtë shumë ia ka dhënë shqiptarit Elvis Vladi për të investuar në Shqipëri.

Prokurorët nuk u zgjatën shumë dhe tani dosja po shkon në gjykatë thjesht si një çështje e mosdeklarimit të vlerave monetare në kufi. Një gjykatës ka rrëzuar akuzën për pastrim parash dhe prokuroria nuk e ka verifikuar alibinë më tej, edhe pse sipas BIRN, të dhënat tregojnë se edhe firma e gjermanit mund të mos e justifikojë shumën e madhe, sikundër edhe pretendimet për blerjen e një toke për turizëm në Shqipëri fusin ujë.

A po mbyllet kështu kjo dosje?

Historia është më e komplikuar. Autoritetet belge kanë nisur një hetim vetë për këtë çështje dhe kanë pyetur edhe kreun e opozitës në Shqipëri, Lulzim Basha. Kjo për shkak se ai parashikoi skandalin, kur akuzoi numrin dy të PS, Taulant Balla se qëndron pas aferës së 3.4 milionë eurove që do mbërrinin në Shqipëri.

Belgjika nuk ka dhënë akoma verdiktin e saj, ndërsa po heton dosjen për shkak se gjurmët e saj të çojnë në një mjedis të trafikut të drogës.

Portali më i madh belg, HLN paralajmëronte para një viti se do ketë zhvillime. Megjithatë akoma nuk dihet se çfarë do ndodhë përtej kufijve të Shqipërisë.

Këtu te ne gjërat u katandisën ashtu siç mund të ishte menduar.