Shifrat tronditëse tregojnë se pse Rama nxit zërat për koalicionet parazgjedhore

Shqipëria ndodhet në mesin e një prej krizave më të rënda ekonomike, pasojat e të cilës do të vazhdojnë për një kohë të gjatë.

Të dhënat deri më tani janë më shumë se tronditëse. Qeveria shqiptare ka shpërndarë ndihmën më të ulët ekonomike për qytetarët dhe bizneset në krahasim me çdo vend të rajonit.

Nga ana tjetër, në Shqipëri janë 61 mijë vende pune të humbura, kurse në vendet e tjera si në Kosovë, Serbi e Maqedoni kjo shifër është dhjetë herë më pak.

Vendi ynë do humbasë këto gjashtë muaj të parë të vitit rreth 540 milionë euro, sipas Komisionit Europian.

Kurse sipas Bankës Botërore, rënia ekonomike në vend do jetë të paktën 7 përqind, ose dy deri në tre herë më shumë se në vendet fqinje.

Por situata politike nuk është më mirë. Në çdo renditje ndërkombëtare për liritë dhe gjendjen e demokracisë, vendi ka pësuar rënie këto vite.

Kurse një sondazh i publikuar sot tregon se mbi 80 përqind e shqiptarëve mendojnë se korrupsioni është i përhapur, kurse gjysma e tyre duan të largohen nga vendi.

Besimi te qeverisja qendrore dhe lokale ka pësuar rënie këto tre vite, ndërsa shqiptarët besojnë shumë pak te institucionet. Madje ata nuk besojnë as te Reforma në Drejtësi, të cilën e shohin si selektive dhe pa efekt.

Pikërisht në mesin e kësaj drame, kur të gjitha paralajmërimet e opozitës janë bërë realitet dhe kur Shqipëria po njeh ditët më të zymta ekonomike dhe sociale, kryeministri ka nisur të shpërndajë spekulime se PS do dalë me një koalicion të përbashkët me LSI. Vetë Rama e mohoi diçka të tillë sot në një konferencë me mediat, por shtoi se në politikë kurrë nuk duhet të thuash kurrë.

Kaq mjaftoi që spekulimet të shtohen, ndërkohë që kryeministri harron se përveç ‘malit’ të vështirë ekonomik, përpara është edhe ‘mali’ i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme që duhet ngjitur. Janë kaq shumë male përpara sa zor se njerëzit do e kenë mendjen te manovrat mediatike të Ramës. Aq më tepër kur para pak ditësh, kreu i PD, Lulzim Basha tha se opozita nuk është e përçarë dhe fundi i Ramës është shumë pranë.