Ja çfarë është vendimi gjerman që ka zhytur Europën në krizë

Ditën e sotme, Deutsche Welle publikoi një analizë që u mor edhe nga shumë portale shqiptare për një vendim të Gjykatës Kushtetuese gjermane, që ka zhytur në krizë Bashkimin Europian. Po çfarë është ky vendim?

Nga Matthew Lynn, Spectator

Një epidemi është tërbuar në të gjithë kontinentin. Ekonomia është në izolim, PBB është në rënie të lirë. Por, hej, atëherë kur menduat se gjërat nuk bëhen dot më keq në Eurozonë, vjen një tjetër krizë financiare dhe valutore, që po përkeqësohet edhe prej menaxhimit kaotik të Bankës Qendrore Europiane (BQE) nga Christine Lagarde.

Gjykata Kushtetuese gjermane ka vendosur- të paktën pjesërisht- kundër programit të blerjes së bonove nga BQE, që i lejon bankës qendrore të printojë para dhe të shpëtojë në mënyrë efektive Italinë, Spanjën, dhe ndoshta shumë shpejt edhe Francën. Duhet të jesh avokat gjerman- zakonisht mes njerëzve më pak interesantë në planet- për të kuptuar në detaje këtë vendim.

Por, duke hequr pikat e imëta të vendimit, në thelb gjërat janë kështu: Banka Qendrore gjermane (Bundesbank) nuk do jetë në gjendje të marrë pjesë në programin e blerjes së bonove të BQE, të paktën nëse nuk ndryshohet ligji ose traktatet. Sigurisht, BQE mund të vazhdojë pavarësisht kësaj, por Banka Qendrore gjermane nuk do jetë pjesë e saj. Dhe, meqë të gjithë paratë në Eurozonë vijnë prej aty, paçi fat. Është sikur Banka e Anglisë të mos shtypë dot para, vetëm nëse përjashton Londrën. Shanset për sukses do ishin shumë të pakta.

Do të shohim se si funksionon nga këtu. “Burrat dhe gratë e Gjykatës Kushtetuese në Gjermani nuk janë as të shurdhër dhe as memecë. Ata e dinë që kanë shkelur mbi një minë politike,” argumenton Claus Vistensen, krye-ekonomist i Eurozonës. “Me fjalë të tjera, ata nuk kanë ekspozuar vetëm BQE-në, por edhe politikanët e Gjermanisë. Nuk është e lehtë të ndryshosh Kushtetutën në Gjermani, por kjo është ajo që kërkohet në këtë rast”. Me fjalë të tjera, është një rrëmujë dhe një moment rreziku maksimal, askush nuk e di më se çfarë mund dhe çfarë nuk mund të bëjë banka qendrore.

Në të vërtetë, ky është faji i presidentes franceze, Christine Lagarde. Një avokate e dashur për setin e Davos-it, ajo është një e emëruar politike e presidentit francez, Macron, pa përvojë se si funksionojnë tregjet financiare. Ajo ishte katastrofë në FMN, ku kryesoi mbi një paketë shpëtimi të shkuar keq të Argjentinës, që duket se do të përfundojë me humbjet më të këqija në historinë e fondit (Argjentina nuk është e mirë në shlyerjen e parave- kush e dinte?) dhe tani po zhyt në krizë edhe BQE-në.

Paraardhësi i saj, ish-bankieri i lezetshëm italian, Mario Draghi kishte mjaft manovra financiare nën mëngë për të shtyrë përpara një program masiv të printimit të parave pa pasur mundësi që ta ndalonte dikush. Lagarde nuk e ka këtë aftësi. Me arrogancën e një avokati, ajo pengohet nga një katastrofë te tjetra. Do të jetë shumë e vështirë për të shpëtuar Eurozonën më tej- në një moment kur ajo ka nevojë shumë të madhe për të shpëtuar.

Si të mos mjaftonte kriza më e keqe ekonomike në histori, Eurozona ka shtuar në përzierje tani edhe një krizë financiare dhe valutore. Nuk do jetë domosdoshmërisht fundi i euros. Ajo është një monedhë elastike me një sasi të madhe kapitali të investuar në të. Por kjo do të bëjë që shërimi nga kriza të jetë shumë më i vështirë- dhe për vende si Italia dhe Spanja, tragjikisht i pamundur.