ILDKPKI nis hetimet për dypunësimin e nënkryetarit të Bashkisë, Arbjan Mazniku

Dypunësimi i nënkryetarit të Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku edhe si administrator i kompanisë ‘Eco Tirana’ po verifikohet nga ILDKPKI si rast i dyshuar i konfliktit të interesit, ndërsa Mazniku mohon akuzat.

Nga Vladimir Karaj-BIRN  

Inspektoriati i Lartë i Deklarimit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesave, ILDKPKI, njoftoi të martën se kishte filluar hetim administrativ për të verifikuar nëse punësimi i nënkryetarit të Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku edhe si administrator i kompanisë ‘Eco Tirana’ sh.a, është apo jo konflikt interesi.

‘Bazuar në ligjin nr. 9367, datë 7.4.2005 ‘Për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksioneve publike’, i ndryshuar, si dhe në zbatim të Kodit të Procedurave Administrative në Republikën e Shqipërisë, do të nisë hetimi administrativ me qëllim verifikimin, trajtimin dhe zgjidhjen e rastit të dyshuar të konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik për zyrtarin Z. Arbjan Mazniku,’ thuhet në një përgjigje që ILDKPKI i dërgoi BIRN.

Dypunësimi i nënkryetarit të Bashkisë së Tiranës si administrator i shoqërisë ‘Eco Tirana’ u denoncua fillimisht në portalin ‘Syri.net’. Përmes një statusi në Facebook, edhe ish-kryeministri Sali Berisha e konsideroi vjedhje pagesën e Maznikut nga kompania ‘Eco Tirana’, paralelisht me atë të Bashkisë.

‘Eco Tirana’ është kompania aksionere që merret me menaxhimin e mbetjeve të kryeqytetit dhe zotërohet me 51 për qind nga Bashkia dhe 49 për qind nga Holding AGSM Albania Sh.a. Mazniku u emërua administrator i ‘Eco Tirana’ në qershor 2019, ndërkohë që mbante më parë pozicionin e anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës.

I pyetur nga BIRN, Mazniku mohoi konfliktin e interesit, ndërsa shtoi se ishte administrator pa tagra administrativë.

‘Kjo shoqëri funksion si një shoqëri aksionare me dy nivele. Në përputhje me statutin e shoqërisë Eco Tirana sha, shoqëria ka 4 administratorë dhe ku vetëm njëri prej tyre ka detyra dhe kompetenca ekzekutive që i jepen nga këshilli i administratorëve dhe i cili duhet të përmbushë funksionin e tij me kohë te plotë. Administratorët pa tagra ekzekutive përbëjnë këshillin e administratorëve’, tha Mazniku në përgjigje të pyetjeve të BIRN.

Mazniku tha gjithashtu se përfaqësonte interesat e bashkisë në këtë kompani, ndërsa paralajmëroi se do të padiste penalisht ish-kryeministrin Sali Berisha për shpifje. I pyetur për nisjen e hetimit administrativ nga ILDKPKI, Mazniku u përgjigj se ishte ‘shumë i lumtur sa herë që flasin institucionet në vend të baltexhinjve’.

Neni 5 i ligjit për  ‘Parandalimin e Konfliktit të Interesave në Ushtrimi e Funksioneve Publike’ parashikon si interes privat të zyrtarit ‘të drejta dhe detyrime pasurore të çdo lloj natyre dhe çdo marrëdhënie tjetër juridiko-civile’.

Megjithatë, ILDKPKI është i vetmi institucion që mund të vlerësojë nëse jemi para një rasti të konfliktit të interesit.

Ky është rasti i dytë që nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku po hetohet për konflikt të dyshuar interesi. Në shtator 2019, Prokuroria e Tiranës nisi një hetim ndaj tij për përfitimin e pagesës së një hoteli me 5 yje në Barcelonë nga kompania ‘Fusha’ sh.p.k, por tre muaj më pas kërkoi pushimin e akuzave në gjykatë.