Meksika, kontroll rrugëve me ushtri edhe për 4 vjet të tjera

Presidenti i Meksikës ka urdhëruar forcat e armatosura të marrin nw dorw sigurinë në rrugë edhe për katër vjet të tjera, duke zgjatur një politikë të cilën ai më parë e kishte kritikuar ndërsa qeveria lufton për të frenuar dhunën në rritje.

Në një njoftim të botuar në Gazetën Zyrtare, Presidenti Andres Manuel Lopez Obrador urdhëroi që Forcat e Armatosura (FA) të marrin pjesë "në një mënyrë të jashtëzakonshme, të rregulluar dhe plotësuese me Gardën Kombëtare" për sigurinë publike.

Forcat e armatosura do të jenë nën komandën e Gardës Kombëtare, thuhet në njoftim, një polici ushtarake e krijuar pasi Lopez Obrador erdhi në presidencë në dhjetor 2018. Urdhri do të zgjasë deri në mars 2024.

Dekreti do të thotë që forcat e armatosura do të jenë në rrugët e Meksikës deri gati në fund të presidencës së Lopez Obrador, i cili shpesh e kritikoi ish-Presidentin Felipe Calderon për vendosjen e marinsave dhe ushtarëve për sigurinë publike.

"Strategjia e tij e sigurisë nuk po funksiononte dhe kjo është arsyeja pse ai është dashur të urdhërojë me këtë dekret që Forcat e Armatosura të mbështesin sigurinë publike", tha eksperti i sigurisë Juan Ibarrola për gazetën Milenio.