Sebastian Vettel konfirmon largimin nga Ferrari në fund të vitit

Ishin prej muajsh të tërë në bisedime për të rinovuar kontratën e bashkëpunimit, por Sebastian Vettel dhe skuadra italiane Ferrari nuk arritën në një marrëveshje, ndaj në fund të këtij viti rrugët e tyre do të ndahen.

Lajmin e ka dhënë vetë piloti gjerman 4 herë kampion bote në këtë sport, që tha se nuk ka arritur një marrëveshje për të vijuar bashkëpunimin me “kokëkuqen”, ndërsa në të njëjtën kohë garantoi angazhim maksimal deri në fund të vitit.

“Marrëdhënia ime me skuadrën e Ferrarit do të përfundojë në fund të vitit 2020. Në mënyrë që të arrijmë rezultatet më të mira në këtë sport, është e domosdoshme që palët të punojnë në harmoni perfekte. Skuadra dhe unë arritëm në konkluzionin që nuk duam të vazhdojmë bashkëpunimin tonë edhe përtej këtij sezoni dhe aspekti financiar nuk ka luajtur asnjë rol në këtë çështje”, tha Vettel.

Pasi fitoi 4 tituj kampionë radhazi me skuadrën e Red Bull, Sebastian Vettel iu bashkua Ferrarit në vitin 2015 dhe provoi për 5 sezone që të rikthehet te titulli me “njëvendëshen” italiane, por nuk ia doli dot.

Një nga shkaqet që mund të ketë çuar në divorcin mes palëve është edhe shpërthimi i francezit Charles Leclerc, i cili ishte një kërcënim për Vettel gjatë sezonit që lamë pas dhe tregoi se meriton të jetë pilot i parë.

Megjithatë nuk mungon as hipoteza që përflitet prej kohësh, ajo që italianët kanë nisur negociatat për të sjellë Lewis Hamilton në drejtim të “njëvendëshes” Ferrari dhe për të provuar rikthimin te titulli kampion.