Zbulohet arsyeja pse meshkujt vdesin më shumë nga koronavirusi

Gjaku i meshkujve ka nivele më të larta të një enzime që përdoret nga koronavirusi për të infektuar qelizat, në krahasim me gjakun e femrave.

Kështu thuhet në një studim evropian, raporton Daily Mail.

Prezenca e lartë e enzimës ACE2 në zemër, veshka dhe enët e gjakut mund të shpjegojë se përse më shumë meshkuj vdesin nga Covid-19.

ACE2 është një receptor që gjendet në sipërfaqen e qelizave. Koronavirusi i ri lidhet fillimisht te ky receptor dhe më pas depërton në brendësi të qelizës duke e infektuar.

Studimi i kryer nga Universiteti i Groningenit në Holandë është publikuar së fundmi.

Në mushkëri gjenden nivelet më të larta të ACE2, prandaj kjo shpjegon se përse sëmundja godet më ashpër aty, thonë studiuesit.

Mendohet se pikërisht mungesa ose prania e pakët e këtyre receptorëve te mushkëritë e fëmijëve, i ndihmon ata ta kalojnë më lehtë sëmundjen.