Vdekja e akademikut Beqiraj/ Basha: Shoqëria humbi një pasionant të palodhur

Kryetari i PD, Lulzim Basha, përmes një mesazhi në Facebook, shpreh ngushëllimet e tij për vdcekjen e akademikut Gudar Beqiraj.

Sipas liderit të opozitës, Profesor Gudari do të mbahet mend për kontributin e tij të jashtëzakonshëm për sportin e peshëngritjes, promovimit dhe mbështetjes së kampionëve dhe të talentuarve të këtij sporti.

"Mësova me hidhërim për ndarjen e papritur nga jeta të akademikut Gudar Beqirajt, profesorit, sportistit dhe njërit nga ekspertët më të njohur në fushën e informatikës dhe të statistikës. Mendimet dhe lutjet e mija janë me familjen, të afërmit dhe miqtë e dashamirët e tij të shumtë.

Emri i profesor Beqirajt lidhet pazgjidhshmërisht me njeriun që pasionet e tij të mëdha, matematikën dhe sportin gjithë jetën synoi t’i kthente në vlerë për shoqërinë shqiptare. Profesor Gudari do të mbahet mend për kontributin e tij të jashtëzakonshëm për sportin e peshëngritjes, promovimit dhe mbështetjes së kampionëve dhe të talentuarve të këtij sporti.

Me largimin e tij, shoqëria jonë humbi përgjithmonë një pasionant të palodhur në përpjekjet mbarëkombëtare në arsim, shkencë dhe sport. U prehtë në paqe!", shkruan Basha në mesazhin e tij.