Si gënjyen mediat pranë Ramës: ‘Dhunë ndaj protestuesve në Gjermani’

Në intervistën e tij në SYRI TV, kryeministri Edi Rama tha se i përmbahet mesazhit se do i dhunojë shqiptarët nëse dalin jashtë gjatë periudhës së pandemisë.

Ai mbrojti kështu videon skandaloze të dhunës në një shtet afrikan, që ua shiti shqiptarëve si dhunë të policisë spanjolle.

Ndërkohë Ditën e Europës, protestuesit shqiptarë u dhunuan në mes të sheshit Skënderbej.

Për të mbështetur tezën e Edi Ramës se edhe në botën perëndimore, protestuesit dhunohen, gazeta Shqiptarja.com shkruan se gjatë protestave të fundjavës në Gjermani, protestuesit janë rrahur nga policia.

Por fotoja e publikuar me lajmin është një ‘fake’. Ajo është shkrepur dy vite më parë.

Në fakt, gjatë fundjavës janë zhvilluar disa protesta masive në Gjermani kundër masave të izolimit.

Revista ‘Spiegel’ shkruan se është protestuar në disa qytete të mëdha në vend. Disa prej protestave ishin me leje, të tjerat ishin pa leje.

Në disa u respektuan distancat, në të tjerat jo, vijon revista. Megjithatë policia nuk ndërmori asnjë veprim kundër protestuesve, thekson Spiegel.