Ankand në Serie A për Mërgim Vojvodën, e duan disa klube italiane

Mërgim Vojvoda bëhet objektiv i disa skuadrave të Serisë A.

Mediat në Itali raportojnë se 25-vjeçari i përfaqësueses së Kosovës pëlqehet nga Lazio, Fiorentina dhe së fundmi nga Torino, që synon të përforcojë mbrojtjen.

Edhe pse është herët për të folur për një lëvizje konkrete, për futbollistin e Standard Liege duket se do të ketë një lloj ankandi, ku do të marrin pjesë disa ekipe italiane.

“Transfermarkt” e vlerëson anësorin e djathtë 2 milionë euro, por kalimi i tij në Serinë A pritet të ndodhë për më shumë.

Sipas “Tuttosport”, Vojvoda mund të kushtojë deri 5 milionë euro.

Mërgim Vojvoda ka qenë pjesë e Shpresës së Shqipërisë, ndërsa në shtator të vitit 2016 iu bashkua “Dardanëve”.