Gaba për Syri TV: Teatri tregon fytyrën e vërtetë të kësaj qeverie. Mund të luajë politikisht, por rezultati nuk ndryshon

Pak ditë pas VKM-së së qeverisë që ia kalon Bashkisë së Tiranë pronësinë e Teatrit Kombëtar, aktivisti dhe politologu Gentian Gaba, në një intervistë për Syri TV, është shprehur se ky vendim tregon fytyrën e vërtetë të kësaj qeverie.

Sipas tij, kjo përmban shkelje që i janë adresuar dhe do të adresohen në ditët në vijim.

"Tregojnë fytyrën e vërtetë të kësaj qeverie, qoftë në nivelin qëndror, qoftë në nivelin lokal. Pa asnjë lloj transparence shpall që godina e Teatrit Kombëtar i kalon bashkisë. Nga pikëpamja juridike, kjo përmban shkelje që i janë adresuar dhe do të adresohen në ditët në vijim. Janë adresuar nga presidenti, nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, nga faktorë të ndryshëm politikë dhe qytetarë, por mua më shqetëson më shumë simbolika e kësaj çështjeje sepse nga pikëpamja e opinionit publik ne e kemi fituar Teatrin. Arsyeja pse ata janë të detyruar të bëjnë këto lojëra vjen për shkak të dështimit që kanë pësuar pasi qytetarët e Tiranës, artistët, aktivistët por edhe faktori ndërkombëtar i kanë treguar shqiptarëve se Teatri është një vlerë kombëtare dhe ndërkombëtare", u shpreh Gaba.

Aktivisti nuk kurseu as kritikat për sjelljen e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

"Në një demokraci hibride si kjo e jona, nuk mund të dalë një kryebashkiak dhe të flasë nga një kanal ujitjesh, a ku ta di unë, pa asnjë lloj ballafaqimi me gazetarët, pa asnjë lloj ballafaqimi me faktorin shoqëror dhe të thotë që Teatri Kombëtar i kalon në pronësi bashkisë dhe të anatemojë me fjalë të turpshme trashëgiminë kulturore", shtoi aktivisti.

Sipas Gabës, mazhoranca mund të luajë politikisht, por në fund rezultati nuk ndryshon.

 

Intervista e plotë: