Faqja e zezë e Ministrit flokëbardhë

Karriera e Ministrit të Brendshëm, në të gjitha qeveritë shqiptare ka qenë në përgjithësi jetëshkurtër dhe fatkeqe. Ky fat ndoqi edhe qeveritë e fundit të Kryeministrit Rama. Ministri i reklamuar si më i suksesshmi ndonjëherë, Saimir Tahiri, përfundoi i akuzuar si përkrahës i trafikut ndërkombëtar të drogës duke përfunduar kështu edhe karrierën politike.

Menjëherë pas tij erdhi Fatmir Xhafa, një ish hetues i diktaturës që kishte burgosur njerëz vetëm pse kishin qeshur ditën e vdekjes së Enver Hoxhës. Ishte kjo dita më e zezë ku mund të përfundonte një qeveri e demokracisë, të thërriste në ndihmë xhelatët e diktaturës. Çfarëdo që të bënte Xhafa, ai do të mbante vulën e ish hetuesit-Ministër. Por përtej kësaj vule, vëllai nga babai i Fatmir Xhafës, gjatë kohës kur ky i fundit ishte Ministër, (për hir të së vërtetës edhe më përpara) sillej i lirë në Vlorë megjithëse kundër tij kishte një vendim penal që e dënonte me vite burg në Itali. Fatmir Xhafa u largua një ditë befas e pa bujë për t’i lënë karrigen e nxehtë një ish gjenerali. Në atë kohë gjenerali ishte këshilltar i Kryeministrit. Ishte kohë e vështirë, populli opozitar dilte në protesta për vjedhjen e provuar të zgjedhjeve nga përgjimet e famshme.

Ky ishte momenti kur ylli i Ministrit të ri të Brendshëm filloi të ndriste duke lënë pa fjalë edhe vetë Kryeministrin. Gjenerali kuptoi që karrierës së tij po i vinte fundi pa asnjë luftë, pa asnjë betejë, fiks si personazhi i Buxatit te Shkretëtira e Tartarëve. Karriera e tij ishte në muzg dhe ja, shkëndija mbërriti. Populli po guxonte të dilte në rrugë kundër Shefit të tij.

Atëherë gjeneral Lleshi vuri në jetë strategjitë e planifikuara me kujdes gjatë viteve të pafundme të letargjisë. Gazi lotsjellës u lëshua si në luftë, i vetmi kusht ishte: “Të mos kishte të vdekur”. Përndryshe, gjithçka që ju garanton mbetjen gjallë “të objektit”, është e lejuar. Në memorien tonë do të mbetet skena e ndjekjes vandale të policisë ndaj një eksponenti të njohur të Partisë Demokratike gjatë së cilës ai u rrëzua dhe u godit me shkopinj gome si të ishte në Santiagon e Pinoçetit.

Po dje, çfarë ndodhi dje?

Reagimi i djeshëm i policisë kaloi çdo lloj kufiri njerëzor, çdo lloj skrupulli moral apo ruajtje fasade njerëzore. Dje unë pashë policinë e gjeneralit, pikërisht atë për të cilën ai thotë “Pas çdo polici do shihni mua”, dje unë pashë Lleshin e çakërdisur, të shkumëzuar si një i sëmurë amoku sulmonte njerëz paqësorë, i zvarriste, i shante, i godiste.

Nga një situatë paqësore madje edhe pa nervin minimal të protestës u kthye brenda 2-3 minutash në një skenë të pakuptueshme agresioni policor. Nuk ishin më shumë se 20 a 30 vetë, ishin në punë të vet, po flisnin për ruajtjen e distancave mes tyre kur u shfaq reja e zezë e Lleshit…

Duket që urdhri ishte të ushtrohej dhunë me çdo kusht, edhe pa arsye, të dekurajohej çdo nismë për kundërshtim. Jetojmë në “shkretëtirën tartare”, këtu nuk ka “armiq”. Këtu ka qetësi ka nënshtrim, ka dhunë. Jemi në shtetin e Gjeneral Ramës dhe kapter Lleshit.

Memoria jonë do ta shënojë Lleshin si rastin më të keq të një Ministri, do ta kujtojë sundimin e tij në Ministrinë e Brendshme si simbolin e një shteti dhe policie që nuk duam. Flokët e bardha të tij më gënjyen në fillim por në fund i mbeti veç faqja e zezë.