Ambulancat e 14 Janarit ‘90 në Shkodër dhe ajo e 9 Majit ‘20 në Tiranë

Pak histori...

Me 14 Janar 1990 dhe në ditët para 14 Janarit në qytetin më antikomunist të ballkanit, në Shkodër u zhvillua një terror tipik hoxhist. Sigurimi i Shtetit siç duket e kishte kuptuar se po i vinte fundi dhe po ndërronte strategjinë për të mposhtur revoltën e sigurtë popullore.

Të rinjtë e këtij qyteti kishin përgaditur të parën protestë masive antikomuniste në Shqipëri për rrëzimin e bustit të Stalinit që ishte i vendosur në këtë qytet

Unë kam qenë dëshmitar i kësaj dite në Shkodër ku me mijra qytetarë në heshtje po zienin përbrenda gati të shpërthenin. Rrugët e qytetit ishin të tejmbushura me njerëz. Policia kishte ardhur e përforcuar më grupet speciale nga Tirana.

Ndërkohë njerëzit shpreheshin se ambulancat e spitaleve silleshin rrugë më rrugë, e lagje më lagje të qytetit historik duke arrestuar çdokënd që u ngjante si kundërshtar i regjimit si kundërshtar i diktaturës. E bënin këtë që të mos binin në sy.

“Masat e sigurimit shtetit ishin nga ma ekstremet. Sjellja e Forcave Speciale dhe vendosja e armëve goditëse ndër tarracat e turizmit, PTT, Sahatit Inglizit, etj., pesë ambulancat e mbushuna me armatime para turizmit (i kam pa vetë me sy), apo forcat tjera në rrethina të Shkodrës të gatshme për kasaphanë, tregojnë etjen për hakmarrje të brumosun me nji urrejtje të pashoqe 46 vjeçare”, shkruan Fritz Radovani në një shenim të pak viteve me parë publikuar në radiandradi.com.

Kjo e tregon me së mirë atmosferën që ishte në atë ditë dhë në tre katër ditët para saj. Shqiptarët i kishin shpallur luftë diktaturës.

Aktuale...

Por ajo që kisha kujtuar se po harrohej u rikthye e kthjellët në mes të Tiranës Me 9 maj 2020, 30 vjet më vonë.  Sërish një ambulancë u përdor që të çonte në komisariatin e policisë, e jo në spital, një protestues.

"Sa më futën në ambulancë i dhanë urdhër shoferit të më çojnë mua te komisariati i policisë", tregon aktivistja e shoqërisë civile që ra pre e dhunës shtetërore policore.

Imazhi i këtyre ambulancave qe më ishte ngulitur qysh prej asaj kohe u zgjua sërish bashkë me mendimin se demokracia shqiptare është në një rrezik të madh.

Me 1990 me ambulancë të arrestonin, ajo transportonte policët dhe armët e tyre.

Sot gjithë shqiptarët janë me sy nga mjekët dhe nga ambulancat, si mjeti i tyre i punës. Por qeveria e Edi Ramës ka më të rëndësishëm arrestimin e protestuesve të shoqërisë civile se sa pandeminë, ndihmën ekonomike për të pamundurit, dhe për këtë përdor ambulancat!!!

Pasi ato u përdorën si mjet i fundit i dhunës shtetërore më 1990 e dimë se çfarë ndodhi në Shqipëri.

Po pas përdorimit të ambulancës për të “arrestuar” një protestuese të shoqërisë civile dhe për ta marrë nga protesta e për të çuar në komisariat çfarë do të ndodhë?

Pyetje që duhet të bëjë të reflektojë gjithkënd, edhe opozitën, edhe Presidentin, edhe shqiptarët.

Kjo tregon se Rama dhe qeveria e tij është në fundin e vet, ose diktatura është në Rilindjen e saj aty ku e la me 1990. Dhe pikërisht për të nisur këtë ngjitje zgjodhi dhunën më 9 maj, “Ditën e Europës”.