‘Të hiqen kufizimet drastike’, Xhixho: Ajo që po bën qeveria është çnjerëzore

Nënkryetarja e LSI, Erisa Xhixho, komentoi në një lidhje me “Skype” në rubrikën “Opinion”, në Neës24, situatën e krijuar nga koronavirusi në vend.

Xhixho tha se nuk duhet të vijojmë me kufizimet aq drastike, kur kemi një kurbë të sheshtë të infektimeve, pasi kufizimet rëndojnë edhe më tej situatën ekonomike, por shkelin edhe të drejtat e njeriut.

“Me ardhjen e pandemisë opozita u tregua shumë konstruktive për të mbështetur masat e OBSH dhe për të qenë pranë qytetarëve. Efektet e gjithanshme të kësaj pandemie padyshim që duheshin administruar me shumë përgjegjësi. Me shfaqjen e pandemisë nuk pamë testime massive për të parë edhe masën e infektimit të qytetarëve, por që të kishim dhe një menaxhim më të mirë të të infektuarve dhe të lironim njerëzit e tjerë. Të kishim një lirim më të shpejtë, pasi gjithë ky izolim ka prekur ekonominë. Zgjatja e fatkeqësisë natyrore deri në qershor është e paargumentuar. Nuk duhet të vazhdojmë me kufizime kaq drastike, kur kemi një kurbë të sheshtë. Pandemia nuk duhet të ndikojë në shkeljen e të drejtave të njeriut, por ne kemi kufizim të të drejtave të tyre.

Shohim skena jo të bukura dje në Sheshin Skënderbej, ku njerëzit po protestonin për Teatrin Kombëtar me të drejtë. Por edhe raporti i Freedom House vënë alarmin për shkeljen e të drejtave të njeriut, duke i dhënë më shumë pushtet ekzekutimit. Menaxhimi i pandemisë nuk duhet të cojë absolutisht në shkelje të të drejtave të njeriut. Tërheqja e Shqipërisë nga Konventa e të Drejtave të Njeriut është absolutisht një vendim jo i drejtë”, tha Xhixho.