Frikë për Trump/ Agjentët e sigurisë rezultojnë pozitivë me Covid-19

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump është gjatë gjithë kohës nën kujdesin e shërbimeve sekrete amerikane, për të garantuar sigurinë e tij. Por, 11 prej agjentëve special që lëvizin kudo ku ndodhet Trump, kanë rezultuar të infektuar nga koronavirus.

Sipas dokumenteve zyrtare, shkruan "Bussines Insider", pandemia është përhapur ndjeshëm tek punonjësit e sigurisë.

23 prej tyre janë shëruar tashmë, ndërkohë që 60 të tjerë janë vetëkarantinuar.

Nuk është dhënë ende një deklaratë nëse ndonjë prej agjentëve të infektuar, ka patur kontakt të drejtpërdrejtë fizik me presidentin e SHBA-ve. Po kjo agjensi kujdeset edhe për sigurinë e zv.presidentit Mike Pence.

Më herët, u bë publik lajmi se zëdhënësja e Pence ka rezultuar gjithashtu pozitive ndaj Covid-19.

Me gjithë këta persona pranë liderave amerikanë që kanë testuar pozitiv, është ngritur shqetësimi nëse Trump dhe Pence mund të jenë infektuar gjithashtu.