Premier League në fushë neutrale? Edhe Watfordi kundër, rrezikohet rinisja

Klubi i Watfordit në Angli bëri publik qëndrimin e tij kundër planit për të luajtur ndeshjet e mbetura të Premier League-s në fusha asnjanëse, sikurse pretendojnë drejtuesit e ligës më të lartë të futbollit anglez. Watfordi i bashkohet qëndrimit të Brightonit dhe Aston Villas, që gjithashtu e kundërshtojnë këtë formulë.

Presidenti i Watfordit, Scott Duxbury, tha në faqen e internetit të klubit se, duke luajtur pjesën e mbetur të kampionatit në stadiume neutrale, “kompromentohet drejtësia dhe integriteti i sportit”. Ky qëndrimi i Watfordit e ndërlikon marrëveshjen e presupozuar për të rifilluar Premier League-n.

Të hënën e ardhshme është planifikuar një takim me njëzet klubet e  Premier League-s për të diskutuar për këtë çështje. Duhet të paktën 14 vota pro që kjo iniciativë të miratohet dhe kampionati të rifillojë.

Në fakt, janë shtatë klubet kundër dhënies së dritës së gjelbër për këtë propozim, megjithëse vetëm tri prej tyre e kanë bërë publike. Sidoqoftë, votimi nuk është planifikuar të bëhet në mbledhjen e së hënës dhe ka të ngjarë të shtyhet më vonë, kur qeveria të vendosë kriteret e sigurisë./ss