'Shuplaka' e fortë e Dom Gjergj Metës: Ishin qytetarë, as trafikantë droge dhe as përfitues tenderash

Jo vetëm nga politika dhe qytetarët. Dhunës së turpshme që ushtroi sot policia mbi qytetarët në sheshin Skënderbej i përgjigjet edhe Ipeshkëvi i Dioqezës së Rrëshenit, Dom Gjergj Meta.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, kleriku katolik jo vetëm që e quan një akt të turpshëm por shton se, të dhunuarit ishin qytetarë dhe se "Policia është në shërbim të popullit dhe duhet të jetë aty ku e "thërret" krimi, vrasja, evazioni fiskal, oligarkët që nënpaguajnë punëtorët dhe jo para teatrit apo në shesh për të arrestuar aktivistët të zemëruar".

"Njerëzit e ndaluar në protestë sot janë qytetarë të këtij vendi. Nuk janë as kriminelë, as evazorë fiskalë, as trafikantë droge, as përfitues tenderash. Kanë zemërim brenda vetes që gjithsesi nuk dënohet me ndalim nga policia.

Policia është në shërbim të popullit dhe duhet të jetë aty ku e "thërret" krimi, vrasja, evazioni fiskal, oligarkët që nënpaguajnë punëtorët dhe jo para teatrit apo në shesh për të arrestuar aktivistët të zemëruar.

Turp t'i vijë kush i urdhëron të arrestojnë njerëz të zemëruar. Turp!", shkruan Dom Gjergji në reagimin e tij.