Shkopi i gomës dhe dhuna mbi ish-kampionen e Shqipërisë, volejbollisten Ira Kurtin

Çfarë metamorfoze e Edi Ramës! Në maj 1996 kur opozita socialiste u dhunua nga pushteti i PD-së, ishte Edi Rama që shkroi te gazeta KOHA JONE shkrimin për Sali Berishën, duke e akuzuar për fashizëm; ndërsa pas 24 viteve pushteti i Ramës dhunoi aktivistët dhe njerëzit e sportit

Sot ndodhi ajo që nuk pritej, policia me urdhër të “surrelasit” Edi Rama ushtroi dhunë mbi çdo aktivist dhe qytetar që kishte dalë apo tentoi të dilte për të thënë një fjalë “JO, prishjes së Teatrit Kombëtar!”. Apo që me flamurin kombëtar do të brohorisnin për DITEN E EUROPES.

Pra u rrahën dhe u arrestuan për fjalën e dalë nga shpirti i lirë europian, pikërisht në ditën e fitores mbi nazifashizmin me 9 maj 1945.

Ndër të ndaluarit ishte edhe Ira Kurti, e cila jeton në Kanada, por që ishte në Tiranë prej disa muajsh. Ira Kurti mendoi se është si në Kanada ku mund të protestosh për lirinë apo mendimin tënd, por harroi se Shqipëria akoma mbetet vend jo demokratik.

Ajo ka qenë volejbolliste e ekipit kampion “Dinamo” që drejtohej nga Kreshnik Tartari. Kurti njihet si një nga 6 volejbollistet më të mira të “Dinamos”, e brezit te Silva Turdiut, Ela Tases, Mimoza Ibrahimit, etj. Ajo ka luajtur duke nderuar edhe ekipin tonë kombëtar të volejbollit, ku në ballkaniadën e vitit 1981, ekipi shqiptar (edhe me Ira Kurtin) mori medalje argjendi.

Sot Ira Kurti doli në sheshin “Skenderbej”, atje ku dikur pritej nga mijërat e sportdashesve të zjarrtë tiranas dhe po kërkonte të thoshte se nuk është e drejtë prishja e Teatrit Kombëtar. Por siç tregojnë pamjet (foto dhe video) ajo arrestohet nga policia, dhunshëm, sikur të ishte duke hedhur bombola gazi ndaj zyrës së kryeministrit.

Ajo u thoshte policëve që e tërhiqnin zvarrë se “mendimin tim po shpreh…”. Por furgoni i policisë e mori!
Për ironi të faktit, Ira Kurti, ka qenë sportiste në vitet kur Edi Rama luante basketboll.

Pra të dy sportistë, por tashmë pushteti i Ramës e dhunoi live, ish-volejbollisten kampione. Edi Rama, natyrisht nuk e arrestoi me duart e tij, por fryma, urdhëri i pushtetit rilindas e arrestuan shqiptaro-kanadezen Ira Kurtin.

Çfarë metamorfoze e Edi Ramës! Në maj 1996 kur opozita socialiste u dhunua nga pushteti i PD-së, ishte Edi Rama që shkroi te gazeta KOHA JONE shkrimin për Sali Berishën, duke e akuzuar për fashizëm; ndërsa pas 24 vitëve pushteti i Ramës dhunoi aktivistët dhe njerëzit e sportit.
/Spiten Prulli/