Manastirliu e mohon zjarrin/ Bardhi: Kemi prova për këtë skandal

Ogerta Manastirliu gënjen paturpësisht për zjarrin e rënë në Ministrinë e Shëndetësisë. 

Kështu shprehet në një reagim të tijin në Facebook Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, i cili paralajmëron publikimin e provave ditën e nesërme.

Ogerta Manastirliu boll nxorre tym nga koka dhe gënjeshtra nga goja. E kuptojmë që ky skandal të djeg shumë", i drejtohet Bardhi ministres.

"Fronti i vjedhjes me tendera sekret vazhdon avazin e gënjeshtrës! Asgjë e re nga bashkëpunëtorja e Edi Ramës në vjedhje dhe në fshehjen e vjedhjes së parave të shqiptarëve me tendera sekret në kohë pandemie.

Ogerta Manastirliu gënjen paturpësisht për zjarrin e rënë në Ministrinë e Shëndetësisë. Ne kemi prova për këtë skandal dhe do t’i bëjmë publike nesër.

Fakti që Ministrja gënjen për zjarrin duhet të bëhet pjesë e hetimit jo vetëm për vjedhjen, por edhe manipulimin e dokumentave përmes djegies. Ajo gabon rëndë që mendon se duke i zhdukur provat do të shpëtojë nga burgu.

Ogerta Manastirliu boll nxorre tym nga koka dhe gënjeshtra nga goja. E kuptojmë që ky skandal të djeg shumë. Ky është zjarr që të çon në burg dhe nuk e shuan dot me ujë!", shkruan Bardhi.

Pas akuzave të liderit të opoizitës Lulzim Basha gjatë mesditës së sotme, Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, në një reagim të sajin ka mohuar zjarrin në ministri.

Sipas saj, tymi i zjarrit imagjinar del nga koka e kreut të PD dhe me ironi thotë që dikush duhet t’i hedhë ujë në sy që ta zgjojë nga gjumi.