Rama, thirrje Metës e Bashës për një tryezë, përcakton dhe kryenegociatorin

Në Ditën e Evropës, në një takim me ambasadorin Soreca, kryeministri Edi Rama u bëri thirrje Ilir Metës dhe Lulzim Bashës, për të zhvilluar një tryezë të gjerë, ku të shprehet vullneti i përbashkët për integrimin dhe secili të plotësojë detyrat e tij.

“Tanimë që negociatat janë hapur dhe kërkohet përgatitja serioze për konferencën ndërqeveritare me BE-në, plani i punës është detajuar dhe duhet të konsultohet hap pas hapi. Qeveria mban peshën kryesore, por këtu duhet të gjithë aktorët. Ne jemi shumë të angazhuar dhe të interesuar, për t’u ulur në një tryezë të gjerë me Presidentin e Republikës, me kryetarin e opozitës, me të gjithë aktorët e tjerë, përfaqësues të institucioneve të pavarura, në radhë të parë të institucioneve të drejtësisë, në një tryezë ku të shprehim vullnetin e përbashkët. Natyrisht, gjithsecili për të bërë detyrat e tij, por ama për të dhënë mesazh të fortë uniteti kombëtar në këtë proces, ku deri më sot nuk po na rezulton se dikush ka një mendje tjetër".

"Ne kemi ngritur edhe grupin negociator, i cili do të udhëhiqet nga një personalitet pa të sharë, në momente të caktuara ka kritikuar edhe qeverinë tonë. Ai është ambasadori Zef Mazi do të jetë kryenegociatori, me një grup të zgjedhur do të jetë regjia e betejës për negociatat. Më vjen shumë mirë që me këtë skuadër, që me këtë ndërveprim intensive të BE, me miqtë tanë ndërkombëtarë, përfshirë edhe SHBA-të dhe ambasadoren, shpresoj edhe me institucionet e tjera, me Presidentin, opozitën brenda dhe jashtë parlamentit, të japim të gjithë një kontribut. Barra jonë është më e madhja dhe ne jemi të gatshëm ta mbajmë”, tha Rama.

Në Ditën e Evropës, kryeministri ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca, pati një takim me kryeministrin Edi Rama.

Soreca rikonfirmoi mbështetje e BE-së ndaj Shqipërisë, ndërsa theksoi se rimëkëmbja ekonomike, pas tërmetit dhe pandemisë, duhet të shoqërohet edhe me vazhdimin e reformave.

“Sot nuk është një ditë normale e përvjetorit të Evropës, për shkak të pandemisë, por mbetet gjithsesi një ditë mjaft e rëndësishme. Solidariteti mbetet një shenjë që ka udhëhequr punën tonë edhe në Shqipëri. Kjo është parë edhe në tërmetin e 26 nëntorit, ku BE u ka qëndruar pranë shqiptarëve. Në këto moment që po flasim, me krizën e pandemisë, BE u ka qëndruar përkrah shqiptarëve dhe 230 milionë euro janë përcaktuar. Në mënyrë të menjëhershme 4 milionë euro për shëndetësisë. Do të vazhdojmë të mbështesim edhe këtë javë Shqipërinë me respiratorë dhe autoambulanca.

Pandemia ka treguar një solidaritet kaq të madh, por falënderoj Ramën edhe për ndihmën që Shqipëria ka ndihmuar Italinë dhe staf mjekësor. Shqipëria ka qenë mjaft bujare, pasi ka lejuar edhe mbi 200 shtetas evropianë të kthehen në vendet e tyre gjatë pandemisë.

Rimëkëmbja ekonomike duhet të shoqërohet edhe me vazhdimin e reformave. 25 marsi ka qenë historik për Shqipërinë. Tani, Shqipëria është në segmentin e fundit të rrugëtimit dhe reformat duhet të vazhdojnë. Ne po bashkëpunojmë me të gjitha institucionet shqiptare për reformat”, u shpreh Soreca.