'Graj gamorin tat'/ Veliaj i përgjigjet Metës për Teatrin Kombëtar

Qëndrimi i Presidentit të Republikës, Ilir Meta pas vendimit të Qeverisë për kalimin e pronësisë të godinës së Teatrit Kombëtar nga Ministria e Kultures te Bashkia e Tiranës, ka sjellë edhe reagimin e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës.

Në një postim në rrjetin social Twitter, Veliaj shkruan: "Kanë një shprehje epike tironcit për gjithë ata që sistematikisht fusin hundët në gjëra që as i kuptojnë, as u takojnë: Graj gamorin tat!”.

Kreu i Shtetit reagoi dy herë sot në lidhje me Teatrin Kombëtar.

"Çdo veprim i mëtejshëm dhe mungesa e reflektimit mbi këtë çështje e detyron Presidentin e Republikës që në ditët në vijim të paraqesë një kërkesë të re pranë Gjykatës Kushtetuese, për shpalljen antikushtetues jo vetëm të ligjit special nr. 37/2018, por tanimë edhe të Vendimit nr. 377, datë 8 maj 2020 të Këshillit të Ministrave, apo të çdo akti tjetër të lidhur me të," tha Meta.