Basha: Vendi në pandemi ekonomike, të anulohen koncesionet

Kryedemokrati Lulzim Basha, në një bashkëbisedim me gazetarët nga selia e PD-së, e cilësoi të rëndë situatën në vend pas pandemisë, Sipas tij, duke iu referuar FMN dhe BB, Shqipëria pritet të ketë një rënie ekonomike nga 5 deri në 7%, ndërsa Basha tha se qeveria nuk ka marrë asnjë masë për të ndihmuar bizneset dhe qytetarët.

Sipas tij, pandemia ekonomike po i zë vendin me shpejtësi pandemisë Covid-19.

“Është një problem, i cili po zmadhohet me një shpejtësi të frikshme dhe po prek të gjitha familjet shqiptare, duke shkaktuar pasiguri, varfërim dhe papunësi në të gjithë shtresat e popullsisë, natyrisht në veçanti ata që janë më të pambrojtur dhe në pamundësi ekonomike”, tha Basha, theksoi se varfëria e njerëzve edhe para pandemisë, tani po thellohet. “Fatkeqësisht sjellja e qeverisë Rama gjatë pandemisë i ka bërë edhe më të varfër, ndërkohë që po e shtyn Shqipërinë drejt një krize edhe më të thellë ekonomike”, tha kreu i opozitës.

“Ky është një shqetësim të cilin e paraqitëm prej ditës së parë, ku kërkuam krahas masave për mbrojtjen e popullsisë dhe për sigurimin e mjeteve të mjaftueshëm shëndetësore për të gjithë aspektet e përballjes me pandeminë që nga testimi e deri tek trajtimi i të sëmurëve, të merreshin urgjentisht masat për ekonominë, kërkesat tona bazoheshin në një analizë realiste të gjendjes ku gjendet vendi, edhe para pandemisë, edhe para tërmetit të 26 nëntorit.

Shqipëria në këto vite që nuk ka ecur me të njëjtën ritëm si vendet e rajonit, por ka bërë pas. Po ju jap një shembull. Vetëm para pak vitesh Shqipëria dhe Serbia kishin të njëjtën borxh publik 70% e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ku jemi sot?!  Sot Shqipëria vazhdon të ketë një borxh të lartë i cili, po të kihet parasysh edhe faturat e koncesioneve, përllogaritet deri në 84%, Serbia ka shkuar në 54.6%; ka ulur borxhin, ka financuar eksportet, ka financuar teknologjinë e informacionit, ka shtuar vendet e punës.

Ndërkohë që ne vetëm gjatë këtyre 8 javëve për shkak të mungesës totale të kujdesit për njerëzit, për ekonominë dhe për vendin kemi humbur vetëm sipas Tatimeve mbi 60 mijë vende pune, shifra mund të jetë dy herë më lartë se kaq. Le të marrim Kosovën, përmes formalizimit kryesisht ka shënuar 6 mijë vende të reja pune gjatë këtyre dy muajve. Edhe një herë, vetëm sipas Tatimeve ne kemi humbur 10 herë më shumë, 61 mijë vende pune”.

“40 milion për të gjithë shqiptarët në kohë pandemie, por qeveria ka dhënë më shumë për 2 km unazë, oligarkëve tek Unaza e Re”, u shpreh Basha.

"Anulimi i koncesioneve korruptive do të mjaftonte që Shqipëria të kishte një paketë ndihmëse për biznesin. Një anëtar i bandës së Lushnjes përfiton më shumë para," tha Basha.

"Strategjia është fare e qartë, një qeveri që është bërë barrë për shqiptarët nuk mund të jetë një zgjidhje. Por çfarë do të ndodhë me 31 maj dhe më vonë. Faturat do të mbeten fatura, konsumi ka rënë. 70 % e ekonomisë shqiptare është nga biznesi i vogël. Çfarë plani ka qeveria". 

Sipas tij, ndonëse në kushte pandemie, qeveria ka plan vetëm vjedhjen. Basha tha se pavarësisht situatës, qeveria ka gjetur mundësi për të kaluar në pronësi të Bashkisë së Tiranës, Teatrin Kombetar, një vjedhje kjo siç e quajti kryedemokrati Basha.

“Mbrëmë brenda natës morën vendim për të grabitur Teatrin Kombëtar, merret vendimi dhe botohet në Fletore Zyrtare brenda natës, ndërsa për të ndihmuar shqiptarët i duhen 2 javë, kur duhet të ndihmojnë njerëzit edhe me pikatore, mendohen shumë, kur vjen puna për të grabitur, i bëjnë brenda natës," tha Basha.