Basha: Bashkia e Tiranës është lavatriçja e parave të pista të drogës!

Kryetari i opozitës Lulzim Basha e ka dënuar ashpër kalimin e truallit të Teatrit Kombëtar nga qeveria tek Bashkia e Tiranës, të cilën e cilësoi si ”lavatriçen e parave të pista të drogës".

“Çdo ndërtim i ri që shikoni në Tiranë ose të themi, shumica dërrmuese,  financohen drejtpërdrejt nga paratë e drogës,"- tha Basha gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët.

"Me hir ose  me pahir,  - theksoi ai, - zhvilluesit janë sot të detyruar të pranojnë pastrimin e parave të pista të drogës përmes lavatriçes së parave të drogës që është bashkia e Tiranës, ku ”kryebetonieri” bashkë me Edi Ramën po bëjnë ekzaktësisht atë të kundërtën e asaj që i premtuan qytetarëve të Tiranës: po zaptojnë çdo shesh të lirë, po kërcënojnë çdokënd që nuk u bindet atyre.

Kjo do ta thellojë në veçanti edhe krizën e sektorit të ndërtimit dhe të pasurive të patundshme. Është një regjim që në grahmat e fundit e ka të skalitur në ballë dhe në valixhet që po bëjnë gati të marrin në largim e sipër atë që “kap ça të kapësh”para se të ikë.

Por dëmi që po shkakton familjeve shqiptare është i pallogaritshëm nëse nuk ndalin një orë e më parë kalimin e fondeve të shqiptarëve tek një grusht oligarkësh.”