‘Kemi tamponin për babanë tuaj’/ Por pacienti kishte vdekur me kohë

Gazeta italiane Corriere della Sera ka publikuar dy dëshmi tronditëse dy prej zonave më të goditura nga koronavirusi në Itali.

Dëshmia e parë vjen nga Alberta Fantoni nga Fiorano al Serio. Babai i saj, Silvano 77 vjeç, vuante nga Parkinsoni dhe sëmundje të tjera. Kur mbërriti koronavirusi, ai u dorëzua. “Ai nisi të ndjehej keq në mars. E dërguam në spital më datë 14. Më 17 u testua pozitiv. Më 18 vdiq”, thotë ajo. Por thirrja telefonike nga autoritetet shëndetësore i erdhi një muaj më vonë, më 20 prill. “Një zonjë më telefonoi për të më thënë se babai duhej t’i nënshtrohej tamponit të dytë për të parë nëse është akoma pozitiv. I shpjegova se babai im kishte vdekur shumë kohë më parë. Ajo u ndje e turpëruar, por edhe unë u ndjeva e tallur”.

Nisur nga fakti se ishin afër një personi që vdiq nga virusi, kërkuan që t’u bëhet edhe atyre testi, por i thanë se duhej të priste. Vetëm pas shumë insistimesh, iu bë testi serologjik. Ajo rezultoi pozitive.

Një tjetër rast i ngjashëm i ndodhi një të riu në Bergamo, që nuk do të identifikohet.

“Për mua dhe mamanë time ishte shumë e dhimbshme”. Babai i tij 66-vjeçar u sëmur në fillim të marsit dhe i bënë tamponin e parë më datë 8. Ai vdiq më 1 prill. 20 ditë më vonë e telefonuan që babai të bënte tamponin e dytë. Sërish i riu përdori këtë mundësi që të kërkonte t’i bëhej tamponi atij dhe mamasë pasi ishin shumë pranë virusit në formën më të ashpër.

“As tampon, as test serologjik. Tentova që të shkëmbeja tamponin e dytë të babait për një prej nesh. Më thanë se do shohim se çfarë mund të bëjmë. Tani a duhet të paguajmë për të parë nëse jemi prekur nga koronavirusi apo jo?”