Analizat e atletëve/ Virusi ‘mbërriti’ në Europë nga ushtarët që në nëntor, gjatë lojërave ushtarake botërore

Përhapja e virusit SARSCoV-2 mund të ketë lidhje me një nga evenimentet sportive ushtarake botërore, i cili vjeshtën e vitit të kaluar u mbajt pikërisht në Wuhan, me ushtarakë sportistë nga 110 vende të botës.

Themeluar në 1995-n dhe organizuar çdo katër vjet, Lojërat Ushtarake Botërore nuk janë shumë të lakuara në media, por edicioni i shtatë, i cili u zhvillua nga 18 deri më 27 tetor të 2019- s, me 10,000 atletë nga 110 kombe që kanë garuar në 28 disiplina sportive, me shumë gjasa do të hyjë në histori.

Prania e aq shumë sportistëve në Wuhan, mungesa e masave për të parandaluar infektimin dhe kthimi pa karantinë i tyre në vendet përkatëse (pasi pandemia ende nuk njihej zyrtarisht) mund të ketë përhapur epideminë që ka nisur të qarkullojë si arsye prej pak kohësh.

Që nga muaji mars, kinezët kanë akuzuar Shtetet e Bashkuara se kishin infektuar qytetin në atë ngjarje ushtarake. Ndërsa SHBA, tani po këmbëngul fort në teorinë se virusi ka dalë nga laboratori i Wuhan-it. Gjatë ditëve të fundit ka pasur hipoteza gjithnjë e më të shumta të atletëve që kanë qenë të pranishëm në ato lojëra, se pas kthimit nga Kina në Europë, në ditët e para të nëntorit, kur virusi po shpërthente në Wuhan, kanë pasur temperaturë të lartë dhe probleme të forta më frymëmarrjen.

Nëse dyshimet e tyre do të konfirmoheshin, këto do të ishin rastet e para në Europë. Për momentin, autoritetet ushtarake nuk kanë komentuar mbi këto dëshmi, përveç Suedisë, e cila të enjten në mëngjes ka konfirmuar dy raste koronavirus mes atletëve të saj.

Rastet në SHBA

Rasti më i njohur është ai i Maatje Benassi, një rezervist 52- vjeçar amerikan, i cili garoi në provën e çiklizmit në rrugë në Wuhan. Benassi jeton i blinduar prej disa javësh në shtëpinë e tij në Virxhinia, duke marrë qindra kërcënime me vdekje. Sipas një grupi teoricienësh komploti, Maatje do të ishte “pacienti 0” që solli virusin në SHBA, falë mungesës absolute të kontrolleve nga qeveria amerikane, që do të kishin “mbuluar” rastin për t’ia atribuuar fajin komunitetit kinez.

Thashethemet se ka pasur raste të shumta me Covid-19 mes 280 anëtarëve të skuadrës amerikane janë mbështetur nga Zhao Lijian, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze.

Atletët francezë

Në Francë, sipas një hetimi të gazetës “L’Équipe”, të botuar të enjten, të paktën dy atletë pesëgarëshi modern, Elodie Clouvel dhe Valentin Belaud, pesë herë kampionë botërorë, kishin pasur probleme serioze me frymëmarrjen, të cilat, në javët në vijim, një mjek ushtarak do të diagnostikonte si “simptoma të dukshme të koronavirusit”. Ministria franceze e Mbrojtjes tha se, “nuk e dimë këtë” dhe sipas gazetës, urdhëroi që të dy atletët të mos flisnin më publikisht për këtë çështje.

Dëshmia në Itali

Ndërsa në Itali, “La Gazzetta dello Sport” të enjten ka raportuar dëshminë e Matteo Tagliariol, një nga 170 italianët e pranishëm në Lojërat Ushtarake në Wuhan. “Kur mbërritëm në Wuhan, pothuajse të gjithë u sëmurëm. Por më e keqja ishte kthimi në shtëpi. Pas një jave, kisha temperaturë shumë të lartë, nuk po merrja frymë. Sëmundja nuk u largua me antibiotikë, u shërova pas tri javësh dhe kam qëndruar shumë gjatë i pafuqishëm. Pastaj u sëmurën djali im dhe partnerja. Kur nisi të flitej për virusin i thashë vetes “e mora edhe unë”.

Deri tani nuk ka pasur asnjë koment nga grupet sportive ushtarake, por nuk është kryer asnjë test për atletët që morën pjesë në ekspeditë. Mjekët francezë kanë vërtetuar me analiza se virusi ka qarkulluar në vendin e tyre që në dhjetor, ndërsa në Danimarkë, kryevirologu i vendit tha se natyrshëm virusi ka qarkulluar që në nëntor.