'Hakmerret ndaj kolegëve të së njëjtës moshë'/ Caka, Lleshit: U bëre vetë ministër 55-vjeç

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshi gjatë mbledhjes së Komisionit të Sigurisë që u zhvillua ditën e sotme online, ka deklaruar se punonjësit mbi 55 vjeç në radhët e Policia së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat do të lirojë vendet e tyre të punës.

Lleshaj tha se po hartohet një projektligj, që të reduktohet mosha e madhe punonjësve të policisë, ku sipas Lleshajt në vendin tonë është 45.1 vjet, më e madha në Rajon.

Lidhur me këtë reagon edhe ish-deputetja e LSI, Silva Caka, e cila përmes një postimi në Facebook i kujton ministrit Lleshi moshën kur mori detyrën që mban aktualisht.

Postimi i plotë:

Zotëria që në moshën 55 vjeçare u bë Ministër i Brendshëm, kërkon të hakmerret ndaj kolegëve të tij, të së njëjtës moshë!

Projektligji i ri për Policinë e Shtetit, synon të paragjykojë e të diskriminojë çdo efektiv policie, i cili ka mbushur moshën 55 vjeç, duke e larguar atë nga puna, pasi i ka dhuruar gjithë jetën atij profesioni. Dhe mbi të gjitha, t'a trajtojë atë me gjysmën e pagës neto!!!

Në shumë vende të botës, kur polici arrin një moshë të caktuar, për shkak të efektshmërisë që kërkon detyra, atashohet pranë posteve administrative, të cilat nuk i mungojnë administratës tonë burokrate. Vetëm këtu tek ne ndodh që mendja ''brilante'' e Ministrit 57 vjeçar, kërkon t'i hedhë në kosh të plehrave 30 vite investim dhe mund!

Pavarësisht lodhjes që mund të shkaktojë profesioni, polici 55 vjeçar është ende i aftë për kryerje detyrash administrative e mbi të gjitha është kryefamiljar dhe paga e tij mund të jetë e vetmja e ardhur e familjes së tij.

Mos harro Ministër se mosha e pensionit është rritur dhe aq më tepër, në Shqipëri është tej mase e vështirë, për të mos thënë e pamundur, të gjesh një vend pune në moshën 55 vjeçare.

Keni ngritur pafund struktura policore ku mund të punësoni militantët tuaj, pa qenë nevoja të nxirrni në rrugë të madhe punonjësit që i dedikuan jetën profesionit.

Paraardhësi juaj I quajti barkderra, ndërsa ju po guxoni t'iu ndërprisni karrierën dhe jetën në mes.

Jo të gjithë e kanë fatin, që nëpërmjet servilizmit e lëpirjes, të bëhen ministra në moshën 55 vjeçare.