“Qeveria i terrorizoi njerëzit sa harruan se kjo është sëmundje e butë”

Mesazhet e qeverisë britanike ishin kaq të ashpra, sa ato terrorizuan popullsinë, e cila nisi të besonte se nëse prekej nga koronavirusi, do të vdiste.

Kështu ka deklaruar një nga ekspertët e qeverisë britanike.

Sipas Daily Mail, profesor Robert Dingwall tha se britanikët e humbën plotësisht duke harruar se kjo është një sëmundje që në shumicën dërrmuese nuk vret njerëzit.

“Ne dërguam një mesazh shumë të fortë, që në fakt terrorizoi popullsinë, e cila besoi se kjo sëmundje do i vrasë. Dhe kryesisht nuk është kështu. 80 përqind e njerëzve që preken nga infeksioni nuk do shkojnë kurrë pranë spitalit. Ata që shkojnë në spital sepse janë të sëmurë seriozisht, shumica dalin të gjallë, madje edhe ata në kujdesin intensiv”.

Komentet e tij ilustrojnë problemet me të cilat do të përballet kryeministri teksa vendi po përgatitet për të dalë nga izolimi.

Sondazhet tregojnë se thuajse dy të tretat e britanikëve janë të shqetësuar për efektet që do ketë heqja e masave drakoniane.

Disa ekspertë druhen se ‘koronafobia’ do jetë një pengesë e madhe që ekonomia të nisë sërish ‘vrapimin’.