E kishte tek Empoli dhe Napoli, Sarri e do Hysajn edhe te Juventusi

Vetëm një ditë më parë agjenti i Elseid Hysajt njoftoi se i kanë bërë të ditur presidentit De Laurentis vendimin për t’u larguar nga Napoli, ndërsa sot vjen interesimi i parë për mbrojtësin shqiptar.

Është “Zonja e Vjetër” ajo që dëshiron shërbimet e shkodranit Hysaj, një mënyrë kjo për të kënaqur edhe trajnerin Mauricio Sarri, i cili e kishte Hysajn tek Empoli dhe e mori po ashtu te Napoli, raportojnë mediat italiane.

Pra kjo do të ishte hera e tretë që mbrojtësi kuqezi do të ishte nën urdhrat e teknikut italian, gjë e cila tregon besimin e madh që ka Sarri te talenti i Hysajt.

Për të veshur bardhezi Hysajn, Juventusi është gati të ofrojë Napolit mbrojtësin italian De Shiljo, të cilin e ka blerë te Milani, si një kërkesë të Allegrit, por tashmë që ky i fundit është larguar ai nuk është shumë i preferuar në Torino.