Ligji ekstrem/ Burgim i përjetshëm kush infekton qëllimisht

Për frenimin e përhapjes së koronavirusit janë marrë masa të ashpra në mbarë botën, por ato janë vërtet ekstreme në shtetin verior të Indisë, Uttar Pradesh.

Një ligj i përkohshëm i miratuar atje së fundi parashikon dënimin me burgim të përjetshëm për personat që shkaktojnë vdekjen e dikujt nga Covid 19 duke e infektuar qëllimisht.

Sipas ligjit, dënimi për “infektim të qëllimshëm” me koronavirusin e ri mund të jetë nga dy deri në pesë vjet burg.

Por nëse personi i prekur humb jetën, atëherë ndëshkimi rëndohet deri në burgim të përjetshëm, bashkë me gjobë që shkon nga rreth 4.000 në 6.600 dollarë.

Vendimi ka ngjallur reagime të forta sidomos nga ekspertë të shëndetësisë, të cilët pretendojnë se kjo masë lë hapësira për veprim nga shteti.

Zyrtarët vendas reaguan duke pohuar për të përditëshmen “Times of India” se qëllimi i një lëvizjeje të tillë është  “të inkurajohen njerëzit për të raportuar nëpër agjenci nëse dyshojnë se kanë qenë të infektuar me Covid-19”.

India deri më tani  ka regjistruar gati 38,000 të infektuar dhe rreth 1.900 të vdekur.