Koronavirusi/ fituesja e çmimit Pulitzer, Garett: Asgjë nuk do të jetë si më parë...

Në vitet e ardhshme pas koronavirusit, asgjë nuk do të jetë siç ishte më parë, tha të enjten gazetarja për shëndetin publik, njëkohësisht fituesja e çmimit Pulitzer, Laurie Garett.

“Mendoj që do të na duhen katër ose pesë vjet nga tani, dhe nuk do të ketë asnjë aspekt të vetëm të jetës që nuk do të ndryshojë”, tha Garett.

“Është pothuajse e pamundur të parashikohet plotësisht ndryshimi ynë”, u shpreh ajo.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, shumica e shteteve në SHBA po heqin dorë nga kufizimet e vendosura për të frenuar përhapjen e coronavirusit.

Ndërsa bizneset po hapen ngadalë përsëri, një model i cituar shpesh nga Shtëpia e Bardhë ka thënë se numri i vdekjeve nga virusi mund të kalojë shifrën prej 130 mijë deri në gusht.

Ndërkohë, disa drejtues lokalë kanë thënë se komunitetet e tyre nuk janë të gatshëm të heqin kufizimet.

Mungesa e një qasje të unifikuar në adresimin e pandemisë mund të shkaktojë probleme në zhdukjen e virusit – madje edhe me një vaksinë, shpjegon Garett.

“Virusi do të vazhdojë të qarkullojë në botë, pavarësisht nëse ekziston apo jo një vaksinë – përveçse nëse ne jemi të angazhuar për një qëllim strategjik për të hequr qafe virusin nga planeti, me zbatimin e duhur të vaksinës për të gjithë: 7.5 miliardë njerëz”, rrëfen ajo,

Ndërsa gjatësia dhe gjerësia e efekteve të coronavirusit bëhen më të qarta, amerikanët mund të rishqyrtojnë aspektet e përditshme të jetës: nga udhëtimi ajror deri tek shkuarja në takime që përfshijnë kontaktin njerëzor, tha ajo.

“Të gjitha llojet e ndërveprimeve dhe sjelljeve që i kemi lënë pas dore do të duken ndryshe”, tha Garrett.

“Ne akoma nuk e kemi ndjerë efektin e depresionit të madh në të cilin po marshojmë”, u shpreh ajo.

Garett kundërshtoi vlerësimin e Zëvëndës Presidentit, Mike Pence, se pandemia do të përfundojë kryesisht deri në fund të majit, duke thënë se afati kohor i përfundimit të virusit më i afërt është 36 muaj.