‘Testet janë qofte’/ Pse Ramës i duhet koronavirusi në muajin mars

Kryeministri Edi Rama u shfaq paradoksal në intervistën e mbrëmshme në SYRI TV, kur u desh të mbronte disa prej skandaleve të tij në menaxhimin e situatës së koronavirusit.

Kështu, ai tha se deklaratat e tij mbi situatën janë nxjerrë jashtë kontekstit, kur në fakt përpara konfirmimit të rastit të parë në Shqipëri, ai ishte shprehur se ky ishte një grip i zakonshëm dhe jo një murtajë. Më pas ai u shpreh se kjo është një murtajë që do na çojë për mish qeni. Më e qartë se kaq nuk ka.

Pastaj foli për testimet e koronavirusit. Edhe pse qeveria e tij thotë se i ka shtuar testimet këto ditë, Rama doli edhe kundër rekomandimit të OBSH për testime masive. Madje i quajti testimet si qoftet. Fakt është se çdo vend që ka dalë nga pandemia me sukses, e ka bazuar betejën te testimet masive.

Në fund, Rama vazhdoi të insistonte se virusi ka hyrë në vend në mars, kur është konfirmuar rasti i parë. Sërish ai doli kundër thirrjes së OBSH, që po kërkon të rishkruhet historia e koronavirusit në Europë, duke iu rikthyer mostrave të trajtuara më herët. Kështu bëri Franca dhe zbuloi se virusi kishte hyrë në vend shumë më herët.

Por Ramës i duhet virusi në vend në mars, për të justifikuar të gjithë situatën e krijuar me bllokimin total që ka shkaktuar dëme gjigante në ekonomi. Nëse do konfirmohej se shqiptarët e kanë ‘hequr’ sëmundjen qafe që më parë, do ishte një goditje e rëndë për shkak të vlerësimit se kura mund të ketë rezultuar më e rëndë se sëmundja.

Pikërisht ndikimi ekonomiko-social i krizës do jetë edhe goditja më e rëndë për Ramën, i cili mbrëmë tentoi të deklaronte se qeveria e tij ka dhënë 5.41 të PBB për krizën, ose diku te 750 milionë euro.

Kurse në përllogaritjen e shifrave, u ‘mbyt’ në mesin e të dhënave dhe mezi nxori se shteti deri tani ka shpërndarë diçka më shumë se 30 milionë euro për njerëzit.