Me çaj e këngë, Britania nderon përvjetorin e Luftës së Dytë Botërore

Londër - Britanikët qëndruan në heshtje dhe Mbretëresha Elizabeth iu drejtua kombi ditën e premte me rastin e 75-vjetorit të Ditës së Fitores në Evropë, megjithëse koronavirusi i fashiti ceremonitë përkujtimore me rastin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore në kontinent.

Së bashku me miliona të tjerë në të gjithë vendin, Princi Charles mbajti një heshtje dy-minutëshe jashtë vilës së tij Balmoral, ndërsa avionët ushtarak fluturuan mbi katër kryeqytetet e Mbretërisë së Bashkuar, ndërkohë që festa çaji me veshje si në vitet 1940, shoqëruar me këngët e kohës, qenë planifikuar nëpër shtëpi.

Planet paraprake për ceremony të shumta me rastin e Ditës së fitores së Evropës, kur forcat aleate pranuan dorëzimin e pakushtëzuar të Gjermanisë naziste, u shtynë sepse qeveria i ndaloi grumbullimet shoqërore që nga marsi për të frenuar koronavirusin.

Njerëzit e mbërthyer në shtëpi për shkak të bllokimit kaluan një ditë me programe speciale televizive dhe radioje.

Mbi shkëmbinjtë e bardhë të Doverit, një gajdexhi i vetmuar interpretoi ndërsa avionët Spitfire të kohës së luftës fluturonin përmbi.

Kryeministri Boris Johnson evokoi "heroizmin e njerëzve të panumërt të thjeshtë" në homazhin e tij për miliona britanikë që luftuan dhe jetuan gjatë luftës.

"Sot ne duhet të përkujtojmë arritjet e tyre dhe të kujtojmë sakrificën e tyre," tha Johnson në një fjalim të publikuar në Twitter. "Ne jemi një popull i lirë për shkak të gjithçkaje që bënë veteranët tanë, të cilëve ne iu japim mirënjohjen tonë, falënderimet tona të përzemërta dhe premtimin tonë solemn: Ju do të mbaheni mend përgjgithmonë!”